Shasi i lashtë, monument kulture
“Gjetjet arkeologjike provojnë se qyteti i Shasit, i konsideruar si qytet i panjohur deri në shekullin e 8-të, në të vërtetë prek krishterimin e hershëm dhe periudhën ilire. Iliriciteti i kësaj kulture dëshmohet veçmas nga njëjtësia tipologjike e objekteve të kulturës arkeologjike të Shasit me kulturën iliro-arbërore të Komanit. Ky fakt merr një rëndësi të posaçme jo vetëm për Shasin, por edhe për shkallën e përhapjes së kulturës ilire në fillimet e epokës së re. Ky është “Shasi i lashtë, monument kulture”. Pikërisht kështu e kanë titulluar edhe librin kushtuar këtij qyteti mijëravjeçar, pas disa kumtesave prej studiuesve shqiptarë në sesionin shkencor me të njëjtin emër i cili u organizua nga shoqata “Ora” më 16-17 maj 2008 në Ulqin. Në libër përfshihen kumtesat e 13 studiuesve nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova që morën pjesë në sesion. Kumtesat trajtojnë në mënyrë kronologjike dhe shumëdisiplinare Shasin, që nga periudha e lindjes së tij deri në ditët e sotme. Aktet e këtij sesioni thyen konceptet e deritashme për historinë e kulturës urbane të Shasit. Burimet historike flasin për një hershmëri të pakontestueshme të këtij qyteti që arrin gjer në prehistori. Në disa botime ku tematika kryesore është e natyrës tjetër, përmenden vetëm disa të dhëna të shkëputura lidhur me Shasin e lashtë. Duke u nisur nga kjo, u vlerësua që të organizohet sesioni shkencor, detyra kryesore e të cilit do të ishte njohja sa më e plotë dhe më e drejtë e të dhënave të deritashme për Shasin e lashtë si dhe vlerësimi i tyre, të cilat kanë një rëndësi të veçantë. Me këtë sesion shkencor u dëshirua që të plotësohet një hapësirë e zbrazët, e cila ekzistonte deri tani, por shumë e rëndësishme në fushën e studimeve historike. Nisur nga rëndësia që kishte problemi, më 17 maj 2008 në Ulqin u organizua sesioni shkencor “Shasi i lashtë – monument i kulturës”, me qëllim që në një mënyrë sa më të hollësishme e sa më të gjithanshme të fitohet një pasqyrë sa më e plotë me të dhëna për një lokalitet të rëndësishëm siç është Shasi i lashtë. Ky sesion shkencor për Shasin e lashtë është orvatja e parë e studimit të çështjes së theksuar në rrathë të caktuar kohorë por dhe hapësinorë. Në sesionin shkencor kanë marr pjesë studiues dhe shkencëtarë të fushave të ndryshme nga Mali i Zi, Shqipëria dhe Kosova. Sesioni i cili kishte për qëllim gjurmimin, sistemimin dhe publikimin e materialit studiues për Shasin e lashtë, ngjalli një jehonë të dukshme në qarqet intelektuale dhe u ndoq me interesim të veçantë nga punonjësit e kulturës, artit, shkencës dhe medias. Në sesion u paraqitën 13 materiale në formë të kumtesave, referateve dhe diskutimeve, të cilat pasqyruan një spektër të gjerë çështjesh historike, kulturore e shkencore.