Brenda vitit, kësti i parë për 20 mijë ish-të përndjekur
Qeveria do të shpërndajë brenda vitit këstin e parë për rreth 20 mijë ish-të përndjekur politikë. Simon Miraka, drejtori i Institutit të ish-të Përndjekurve Politike, tha dje për “standard” se deri në fund të vitit, çdo i përndjekur politik do të përfitojë këstin e parë. Ndryshe nga sa ishte menduar më parë, që brenda vitit 2009, të përfitonin vetëm një pjesë e ish-të përndjekurve politike, qeveria ka menduar ndryshe, duke bërë të mundur që brenda 2009-s, 20 mijë të përndjekurit politikë të marrin këstin e tyre të parë. “Brenda këtij viti, çdo ish-i përndjekur që i është miratuar dosja, do të marrë këstin e parë të dëmshpërblimit”, - tha Miraka, duke konfirmuar se deri tani në Ministrinë e Drejtësisë janë afërsisht 20 mijë dosje të të ish-të përndjekurve politikë që janë miratuar. Kjo do të thotë se çdo i përndjekur që i është miratuar dosja nga ministria, do të marrë dëmshpërblimin pa dallim. Sipas Mirakës, me ndryshimet në ligjin e ish-të përndjekurve, janë rritur ndjeshëm përfituesit, duke bërë që të rriten edhe aplikimet. Deri në datën 1 korrik të këtij viti, çdokush ka të drejtë të bëjë aplikimin për të përfituar dëmshpërblimin. Kështu, brenda vitit paguhet kësti i parë dhe më pas, siç e parashikon edhe ligji, brenda 8 viteve paguhet e gjithë shuma e dëmshpërblimit me këste të barabarta.
Muaji qershor
Ashtu siç ishte premtuar nga Ministria e Drejtësisë, tashmë janë gati afërsisht 3 mijë ish-të përndjekur që do të tërheqin këstin e parë të dëmshpërblimit në fillim të muajit qershor. Aktualisht, kanë marrë këstin e parë 1440 ish-të përndjekur. “Në fillim të muajit qershor, do të nisë dhënia e këstit të parë për afërsisht 3 mijë ish-të përndjekur”, - konfirmoi Simon Miraka, duke shtuar se kjo listë e dytë mund të jetë edhe më e madhe. “Mund të jetë edhe më shumë se 3 mijë”, - tha më tej ai. Buxheti i vitit 2009 ka parashikuar një fond prej 20 milionë dollarësh, ndërsa ministri i Financave, Ridvan Bode, ka premtuar se ky fond është gati.
Ligji
Ndryshimi i ligjit që bëri Parlamenti ka bërë të mundur që të shtohen përfituesit me disa mijëra. Në datën 1 korrik mbyllen tërësisht aplikimet dhe më pas nis shpërndarja vit pas viti të kësteve. Sipas ndryshimit në ligj, përfitojnë dëmshpërblim pasardhësit, si vëllezër dhe nipërit të të gjithë atyre që janë pushkatuar apo që kanë vuajtur në kampet me gjemba. Ndryshimi i dytë ka të bëjë me shtyrjen e afatit të kërkesave për të kërkuar dëmshpërblim. Ish-të përndjekurit kanë kohë deri në datën 1 korrik të këtij viti të bëjnë kërkesat. Ndërkohë, të gjithë ata që aktualisht kanë bërë dokumentet gati, do të duhet të bëjnë një kërkesë të re. Ligji rregullon dy situata problematike të nxjerra në pah nga zbatimi i ligjit bazë, si dëmshpërblimi financiar i të ekzekutuarve pa gjyq dhe dokumentacioni provues për të internuarit në kampe me rrethim me tela me gjemba. Pra, mjaft të eliminuar gjatë regjimit që s’kanë pasur pasardhës direkt, si kleri, pasardhësit e tyre si vëllezër, motra dhe nipër, do të përfitojnë këtë dëmshpërblim.
Ministria e Financave: Procedurat e pagesës së dëmshpërblimit të ish-të dënuarve politikë
Ministria e Financave, nëpërmjet një udhëzimi përkatës, ka specifikuar të gjithë procedurën që ish-të përpjekurit duhet të ndjekin për të plotësuar përfundimisht dosjen e tyre dhe për të tërhequr paratë. Me anë të këtij udhëzimi, janë radhitur procedurat që kërkohen për çdo kërkesë të ligj, duke iu referuar dëmshpërblimit përkatës. Ministria e Drejtësisë, në bazë të ligjit, ndjek të gjithë procedurën e informacionit për dosjet individuale deri në nxjerrjen e Vendimit të Këshillit të Ministrave dhe dërgimin e tij me listat bashkangjitur në Ministrinë e Financave për pagesë. Verifikimi për përfitimet e mëparshme të ish-të dënuarve është informacion i dërguar në Ministrinë e Drejtësisë nga Ministria e Financave për shumat në letra me vlerë dhe lekë përpara vitit 1997. Ky informacion është marrë nga ish-Banka e Kursimeve (sot Raiffeisen Bank) dhe për këtë Ministria e Financave komunikon direkt me Ministrinë e Drejtësisë. Këto përfitime sipas ligjit të sipërcituar i raportohen Ministrisë së Drejtësisë, në mungesë të tyre merren për bazë deklarimet e personave. Për këtë çështje Ministria e Financave nuk ka në detyrim apo funksion të japë sqarime individuale, pasi sipas saj, është e qartë, por edhe është praktikisht e pamundur. Prandaj, komunikimi do të jetë vetëm shkresor. Në rast se ish-të dënuarit kanë vërejtje për përfitimet e mëparshme, gabime të mundshme etj., do të drejtojnë kërkesë zyrtare Ministrisë së Drejtësisë për korrigjime të mundshme, nëse rezulton një gjë e tillë. Ministria e Financave ndjek procedurat e pagesës vetëm pasi ish-i dënuari është përfshirë në listën e VKM-së dhe nuk ka asnjë kompetencë apo funksion për procedurat përpara daljes së Vendimit të Këshillit të Ministrave për pagesat individuale.
Për personat ish-të dënuar politikë që jetojnë
a. Pasi është siguruar i dënuari politik që emri i ka dalë për pagesë në VKM duhet të ndjekë njërin nga dy opsionet e mëposhtme:
• Të depozitojë pranë degës së thesarit ku ata jetojnë, vetëm numrin e llogarisë në emër të tyre në një nga bankat: Alpha Bank, Raiffeisen Bank, Banka Popullore, NBG, BKT, Banka e Tiranës, Union Bank, Banka Ndërkombëtare Tregtare. Pranohet numri i llogarisë vetëm në një nga këto banka, sepse këto janë zgjedhur si kërkesë e ligjit.
• Ose të dërgojnë me postë këtë numër llogarie në emër të tyre në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit, Tiranë.
b. Me mbërritjen e numrave të llogarisë Ministria e Financave proceson pagesat nga Banka e Shqipërisë në llogaritë personale të përfituesve (ish-të dënuarve). Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë: Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.
Për personat më dënim kapital dhe që trashëgimtarët janë listuar në VKM nr, 1699 datë 29.12.2008
a. Trashëgimtarët do të veprojnë në të njëjtën mënyrë duke ndjekur njërin nga dy opsionet e listuara në pikën 2 (a). Pra, të gjithë trashëgimtarët e të pushkatuarit depozitojnë pranë degës së thesarit ku jetojnë ose dërgojnë me postë numrin e llogarisë (të hapura në një nga bankat e përmendura më lart) në adresën: Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme ë Thesarit, Tiranë.
b. Veprimet për rastet sipas pikës 3 mund të kryhen edhe në emër të një trashëgimtari të vetëm kur së bashku me numrin e llogarisë depozitohet një prokurë që trashëgimtarët e tjerë autorizojnë njërin prej tyre për kryerjen e veprimeve të pagesave. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë: Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankare.
Për personat ish-të dënuar të listuar në VKM, që nuk jetojnë ose kanë vdekur pas daljes së vendimit për dëmshpërblim
a. Në këto raste, meqë personi i dënuar nuk jeton dhe që sipas vendimit ka emrin në listë për dëmshpërblim trashëgimtarët e ligjshëm do të jenë përfituesit. Në mënyrë që përfituesit të tërheqin pagesën, duhet që të depozitojnë pranë degës së thesarit ose pranë Ministrisë së Financave këto dokumente:
• Certifikatë vdekjeje të ish-të dënuarit
• Certifikatë të trungut familjar
• Dëshminë e trashëgimisë të ish-të dënuarit politik
• Prokurë kur autorizohet një person për të bërë veprimet
• Numrin e llogarisë në njërën nga bankat e lartpërmendura.
b. Pagesa pastaj vijon normalisht nga Banka e Shqipërisë në llogarinë e përfituesit brenda një muaji. Është kusht i domosdoshëm për pagesë përputhja e plotë: Emër, Atësi e Mbiemër në listë me ato në llogarinë bankarë si dhe kompletimi i praktikës me të gjithë trashëgimtarët ligjore sipas nenit 8, pika 1 të ligjit nr. 10111 datë 2.04.2009 “Për disa shtesa dhe ndryshime të ligjit nr. 9831 datë 12.11.2007 “Për dëmshpërblimin e ish-të dënuarve politikë të regjimit komunist”. Po bëhen të gjitha përpjekjet për të proceduar sa më shpejt me pagesat. Për këtë së shpejti do të ketë një sektor i posaçëm që do të ndjekë këtë procedurë këtë vit dhe në vazhdim. Në vazhdimësi informacioni ynë do të jetë afishuar pranë degëve të thesarit, në website të Ministrisë së Financave si dhe pranë shoqatave të ish-të dënuarve politikë. Radha dhe saktësia në depozitimin e dokumentacionit janë kriteret dhe njëkohësit çelësi për shpejtimin e ekzekutimit të pagesave.