Basha: Brenda 2010-s, të lirë për në zonën Shengen
Brenda vitit 2010, shqiptarët do të lëvizin të lirë dhe pa viza drejt zonës Shengen, atë të vendeve të Bashkimit Evropian. Këtë siguri dha mbrëmë ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, gjatë emisionit “Opinion”. Para një paneli gazetarësh, kryediplomati shqiptar bëri të ditur momentin politik për Shqipërinë që do të jetë ai i gjashtëmujorit të parë të mandatit të dytë qeverisës. Kurse brenda 12-mujorit të mandatit të ri, do të vijë dhe momenti final, ai i heqjes së vizave drejt vendeve të BE-së. “Gjatë 6-mujorit të parë të mandatit tonë të dytë, është momenti politik, kurse gjatë 12-mujorit të parë të mandatit tonë do të lëvizim pa viza”, - theksoi z. Basha. Ai përmendi faktin se Shqipëria ka përmbushur detyrimet që rrjedhin nga BE-ja për çështjen e liberalizimit të vizave, ndërkohë që bëri të ditur se Këshilli i Ministrave të BE-së brenda gjashtëmujorit do t’i paraqesë BE-së ecurinë që ka ndjekur Shqipëria në këtë proces, duke e konsideruar atë si momentin politik për heqjen e vizave. Para gazetarëve, ministri Basha foli mbrëmë edhe për aplikimin e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Ai shprehu sigurinë e plotë se aplikimi do të bëhet brenda presidencës çeke. Madje z. Basha tregoi dhe arsyet se pse Shqipëria kërkon domosdoshmërisht bërjen e kërkesës brenda këtij gjashtëmujori. Ministri i Jashtëm la të kuptohej se thellimi i krizës globale pas qershorit, mund të sjellë anomali në procesin e zgjerimit të BE-së me vende të tjera, ndaj dhe Shqipëria do të konkretizojë shumë shpejt kërkesën. “Ne do të aplikojmë brenda presidencës çeke. Natyrisht ka të bëjë me rrethana jashtësore që lidhen me krizën globale që nuk ka të bëjë me Shqipërinë. Kemi mbështetjen e vendeve të BE-së në këtë proces dhe nuk jemi aspak të vonuar për paraqitjen e kërkesës për statusin për kandidat”, - tha z. Basha. Kryediplomati shqiptar pohoi se Shqipëria ka përmbushur të gjitha detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në BE, duke vënë theksin tek lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë të veçantë. “Vetëm një rrëshqitje nga kjo rrugë, - pohoi Basha, - mund të cenonte procesin integrues”. Basha shpjegoi etapat që do të ndiqen pas kërkesës për statusin e vendit kandidat, duke përmendur dhe një pyetësor nga KE-ja prej 40 mijë pyetjesh të cilave duhet t’u përgjigjet Shqipëria para se të arrijë në stacionin e fundit të integrimit. Nxitimi për aplikim brenda këtij 6-mujori, sipas Bashës, nuk ka qëllime elektorale, por qëllime strategjike për Shqipërinë. “Një portë e hapur, s’ka nevojë të trokitet. Kemi akord me presidencën çeke, kemi mirëkuptim nga Komisioni Evropian, ndaj gjykojmë se janë pjekur të gjitha kushtet për aplikim. Presidenca çeke po pret që ne të aplikojmë për vendin kandidat”, - deklaroi ministri i Jashtëm Lulzim Basha.
Basha: Diplomacia parlamentare është vlerë e shtuar
Ministri i Punëve të Jashtme Lulzim Basha vlerësoi mbrëmë angazhimin e të gjitha institucioneve të vendit për rëndësinë që u kanë kushtuar proceseve integruese. Por i pyetur në mënyrë të veçantë për rolin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, Basha pohoi: “Topalli nuk është shteti, pasi çdo institucion ka rolin e vet”. Basha vuri në dukje se Ministria e Jashtme është përgjegjëse për politikën e jashtme dhe po ashtu dhe Parlamenti i Shqipërisë ka pasur një rol të rëndësishëm gjatë këtij procesi. Sipas tij, është detyrë e Kuvendit për t’u angazhuar në këtë proces. “Ka qenë pa dyshim një vlerë e shtuar në këtë proces pasi nuk kanë qenë vetëm ekzekutivet të përfshirë, por edhe parlamentet me ratifikimin e protokolleve si dhe të MSA-së”, - deklaroi ministri Basha. Ai bëri të qartë se gjithë shteti shqiptar është përfshirë në këtë proces. Basha pohoi: “Një partner ka qenë edhe Ministria e Brendshme, por edhe faktori ekonomik si Ministria e Financave për gjetjen e fondeve. Kanë qenë të gjitha institucionet e Shqipërisë të përfshira në këtë proces. Avantazhet do të jenë lëvizja lirë e qytetarëve në BE, është tregtia e lirë pa kontrolle, është zhvendosja e qytetarëve në BE, ku të jetosh si qytetar i familjes evropiane, në mënyrën më të lirë të mundshme”.