“Emërimet e ambasadorëve, konsensuale”
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, i pyetur nga gazetarët në lidhje me emërimet e ambasadorëve, pohoi se nuk ka pasur vonesa në emërimin e ambasadorëve tanë. Sipas tij, emërimi është bërë në bazë konsensusi. Vonesa ka qenë për shkak të vetë procesit që kërkon emërimi i një personi të duhur për ambasador. “Në çdo vend demokratik procesi i emërimit të ambasadorëve është një proces konsensual dhe do kohën e tij”, - tha Basha. Për sa i përket çështjes së Kosovës, ministri i jashtëm theksoi se diplomacia shqiptare ka kryer një ofensivë diplomatike në lidhje me dhënien e argumenteve për të siguruar pavarësinë. Sipas tij, diplomacia shqiptare ka dhënë argumente të cilat kundërshtojnë pretendimet e Rusisë dhe Serbisë sipas të cilave, rasti i Kosovës është në thyerje të së drejtës ndërkombëtare.