E Hënë, 2 Nëntor 2026

Basha: Buxheti 2012 trefishim investimesh në Tiranë

TIRANË- Kryetari i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha bëri sot të ditur, se Bashkia ka përfunduar hartimin e projekt-buxhetit për vitin 2012. Zoti Basha tha se projekt- buxheti i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, ndërsa shtoi se parashikon trefishim të investimeve publike.

“Qendra e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës do të jetë kudo ku qyteti nis, përtej pragut të derës së çdo qytetari, çdo banese private, çdo pallati. Buxheti i vitit 2012 reflekton në radhë të parë një trefishim të investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës në këto 20 vite”, tha Basha.

Kryebashkiaku ka deklaruar më tej se, punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë shtyllat kryesore, mbi të cilat është hartuar projekt-buxheti i vitit 2012.
“Në funksion të punësimit, si prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës janë parashikuar fonde për mbështetjen e biznesit, përmirësimin e klimës dhe krijimin e kushteve për investitorët dhe biznesin, në qytetin e Tiranës dhe krijimi i një fondi të veçantë për nxitjen e punësimit. Gjithashtu, në projekt-buxhet janë parashikuar fonde të veçanta, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës. Shërbimet sociale, qendrat sociale, banesat sociale asistenca sociale, mbrojtja e konsumatorëve etj janë adresuar me fonde të veçanta, në buxhetin e Bashkisë. Projekt-buxheti parashikon investimet më të mëdha në infrastrukturë“, shtoi Basha.

Ky projekt-buxhet, sipas Bashës do të diskutohet me qytetarët e Tiranës para se të miratohet.
“Dy javët e ardhshme projekt - buxheti do i nënshtrohet një konsultimi me publikun dhe me qytetarët, para se të marrë vulën e Këshillit Bashkiak” - tha ai.
(ma.ar/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Basha: Buxheti 2012 trefishim investimesh në Tiranë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›