E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Buxheti 2012 trefishon investimet publike

Basha sqaroi se projekt- buxheti i përmbahet plotësisht filozofisë qytetare, që qyteti fillon nga pragu i derës së çdo qytetari.

“Qendra e vëmendjes së Bashkisë së Tiranës do të jetë kudo ku qyteti nis, përtej pragut të derës së çdo qytetari, çdo banese private, çdo pallati. Buxheti i vitit 2012 reflekton në radhë të parë një trefishim të investimeve publike, krahasuar me periudhën më të mirë të investimeve publike të Bashkisë së Tiranës  në këto 20 vite”, u shpreh ai.

Punësimi, cilësia e jetës dhe infrastruktura janë shtyllat kryesore, mbi të cilat është hartuar projekt-buxheti i vitit 2012. Në funksion të punësimit, si prioritet kryesor i Bashkisë së Tiranës janë parashikuar fonde për mbështetjen e biznesit, përmirësimin e klimës dhe krijimin e kushteve për investitorët dhe biznesin, në qytetin e Tiranës dhe krijimi i një fondi të veçantë për nxitjen e punësimit.

Gjithashtu, në projekt-buxhet janë parashikuar fonde të veçanta, në funksion të përmirësimit të cilësisë së jetës. Shërbimet sociale, qendrat sociale, banesat sociale asistenca sociale, mbrojtja e konsumatorëve etj   janë adresuar me fonde të veçanta, në buxhetin e Bashkisë.

 Projekt - buxheti parashikon  investimet më të mëdha në infrastrukturë. Rehabilitimi i shesheve në zona të ndryshme të Tiranës, krijimi i hapësirave te gjelbra, rikonstruksioni dhe ndërtimi i rrugëve në lagjet e qytetit, shkollat kopshtet, çerdhet dhe  ujësjellës - kanalizimet  do të mbështetet me fonde nga buxheti i Bashkisë së Tiranës. Para se të kalojë për miratim në Këshillin Bashkiak, projekt-buxheti do të konsultohet me qytetarët, duke nisur nga kjo javë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-14 14:36
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›