Kushtetuesja: Fonde për bibliotekën e karburantin
Komisioni parlamentar i Ligjeve është njohur dje me kërkesat e Gjykatat Kushtetuese në lidhje me buxhetin e vitit 2010. Sekretari i Përgjithshëm i këtij institucioni, Kujtim Osmani kërkoi rritje të fondit për shpenzime operative me 540 mijë lekë, pasi nuk janë pasqyruar tre punonjës që përfitojnë nga bonos i karburantit. Në zërin e investimeve nga 9 milionë lekë që ka kërkuar Gjykata Kushtetuese janë akorduar 5 milionë, në një kohë që diferenca përfaqëson pjesën e pambështetur të projektit për informatizimin e plotë të veprimtarisë gjyqësore, kushtetuese, për një proces të drejtë, transparent dhe bashkëkohor. Ministria e Financave nuk ra dakord që të jepeshin fondet në lidhje me këtë zë investimi, ku kërkohej për karburante dhe për zbatimin e një projekti të posaçëm. Gjithashtu Osmani kërkoi që të bëhet një rregullim i brendshëm mbi pagat e sigurimet shoqërore. Ndërsa për fondin e librit të bibliotekës, komisioni ra dakord që Kushtetuesja dhe ministria e Financave të gjejnë një akordim të përbashkët.