Minorenët e dënuar, aktivitet social-kulturor në Burgun e Vaqarit
TIRANË - Të dënuarit e burgut në Vaqar, Tiranë, disa nga të cilët minorenë, janë përfshirë dje paradite në një sërë aktivitetesh social - kulturore, të organizuara nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, në kuadër të nismës për gjallërimin e jetës në qendrat e vuajtjes së dënimit. Gjithçka ishte konceptuar si një festë, e cila nisi me një koncert me këngë dhe valle, realizuar nga anëtarët e ansamblit “Tirana”. Më pas, i ftuari tjetër, piktori Krenar Zejno, zhvilloi një bisedë, e cila është fokusuar te shprehja e ndjenjave me anën e ngjyrave, si dhe çlirimit nga stresi që vjen si pasojë e izolimit për një kohë të gjatë. Gjithashtu, pjesëmarrësit janë njohur edhe me një ekspozitë të piktorit të vogël në moshë, Fatjon Kreka,
të cilën ia dedikonte prindërve të tij që janë duke vuajtur një dënim penal. Nga ana tjetër, minorenët që ndodhen të izoluar në këtë institucion, dhanë përshëndetje me poezi për të ftuarit e tyre. Në Burgun e Vaqarit, që ndodhet në periferi të Tiranës, strehohen 166 të dënuarit, nga të cilët 13 janë të mitur.
17 Qershor 2009