Gjykata e Larte shapll moskompetencen, Delijorgji, ende te hapuer ceshtjen per evazion fiskal
Tiranë - Gjykata e Lartë vendosi dje mes kërkesës së Doganës së Durrësit dhe avokatit të Mihal Delijorgjit të pranonte argumentet e këtij të fundit. Gjykata e Lartë arsyetoi se kjo gjykatë nuk është kompetente për të gjykuar këtë çështje për shkak se duhet të ndiqej rruga administrative. Dosja e evazionit fiskal duket se nuk është mbyllur ende për biznesmenin që vazhdon të qëndrojë në qeli për tragjedinë e Gërdecit. Dogana e Durrësit është përfaqësuar dje me një nga avokatët e shtetit duke ngritur pretendimin se Delijorgji duhet të paguajë një borxh të hershëm. Ndërkohë tjetër argument ka sjellë avokati Artan Hajdari. Sipas këtij të fundit, kjo çështje ka marrë formën e prerë dhe një gjykatë është shprehur si për akuzën penale, ashtu dhe për civile. Tanimë i mbetet Gjykatës së Lartë të thotë fjalën e fundit në lidhje me këtë kërkesë. Delijorgji kishte qëndruar në paraburgim në vitin 2006 për pak ditë, kur ndaj tij u ngritën akuzat e “falsifikimit të dokumenteve”, “shmangies nga detyrimet doganore” dhe “evazionit fiskal”, në vlerën 1.2 milionë euro. Por, disa ditë më pas, me anë të një garancie pasurore prej 1 milion eurosh, Delijorgji fitoi lirinë. Një vit pas kësaj ngjarjeje, Gjykata e Apelit në Durrës, përmes prokurorëve ushtarakë të “huazuar” nga Tirana, rrëzoi akuzat e ngritura nga Prokuroria në adresë të tij, duke pretenduar se provat ishin të pamjaftueshme. Disa ditë më pas akuza depozitoi rekurs në Gjykatën e lartë, ndërkohë që pas tragjedisë së Gërdecit hetimet për Delijorgjin rinxorën në skenë edhe çështjen ku ai fitoi lirinë. Në fakt, Gjykata e Shkallës së Parë në Durrës e dënoi Mihal Delijorgjin me një gjobë prej 10 milionë lekësh të rinj për akuzën e kontrabandës me mallra të tjerë. Po kjo gjykatë u shpreh në vendimin e saj se Delijorgji duhej të shlyente të gjitha detyrimeve që kishte ndaj shtetit. Por ky vendim është ankimuar nga avokatët e biznesmenit në Gjykatën e Apelit të Durrësit, e cila i dha pafajësinë të dyshuarit për kontrabandë dhe evazion fiskal.
17 Qershor 2009