Basha: Do i rrimë mbi kokë Ramës për çdo premtim që dha
Kandidati për kryetar të Partisë Demokratike, Lulzim Basha vijoi me prezantimin e platformës së tij në Tropojë, Has, Rrëshen dhe njësinë bashkiake numër 2, në Tiranë. Gjatë fjalës së tij, Basha u ndal veçanërisht tek mbrojta e administratës aktuale nga shkarkimet abuzive të cilat mund të bëjë qeveria e re.
Deklarata
Lulzim Basha tha se nëpërmjet një rrjeti juridik Partia Demokratike do të evidentojë çdo rast shkarkimi abuziv nga puna duke e dërguar atë më pas në gjykatë për një shqyrtim të plotë. Partia Demokratike do të faturojë çdo ditë, përmes një rrjeti juridik, të gatshëm jo vetëm të evidentojmë por të provojmë me fakte para çdo gjykate padrejtësitë e këtyre vendimeve, ti kthejë ato në konsekuenca ligjore, për rikthim në punë, konsekuenca financiare për dëmshpërblim dhe më pas është detyra jonë ti kapitalizojmë si konsekuenca politike, për të shkurtuar ditët e kryezullumqarëve, tha Basha. Në vijim, Basha tha se në platformën e tij parashikohet që vendimmarrja në PD, të bëhet me pjesëmarrjen e çdo anëtari dhe simpatizanti të kësaj partie, përfshirë jo vetëm zgjedhjen e drejtuesve të partisë por edhe kandidaturat për drejtues vendorë apo deputetë. Pika e parë e platformës sime për këtë fillim të ri është që çdo vendim politik apo organizativ i PD, të nisë nga anëtarët dhe militantët e PD, kudo që ndodhen, u shpreh Lulzim Basha.
Opozita
Duke folur për katër vitet e ardhshme në të cilën PD do të jetë në opozitë, Basha ka paralajmëruar një aksion të gjerë opozitar që do të shtrihet nga çdo cep i vendit. Krahas kësaj, Basha tha se PD duhet të ketë gati platformën e saj për një Shqipëri të zhvilluar dhe evropiane. PD do të garantojë, që edhe ata të mashtruar të 23 qershorit ta kuptojnë koston e mirëbesimit tek rilindja e mashtrimit. Ne do të na kenë mbi kokë ditë për ditë, për ti kujtuar se kanë premtuar 300 mijë vende të reja pune, se kanë premtuar heqjen e taksës për biznesin e vogël, se kanë premtuar shëndetësi falas për çdo shqiptar. Opozita shqiptare nuk mund të mjaftohet vetëm me kaq, në kushtet e kësaj mazhorance. Ne duhet të jemi gati sot, tu paraqesim shqiptarëve platformën tonë, se ne jemi dhe mbetemi e vetmja shpresë e Shqipërisë së zhvilluar evropiane, përfundoi Lulzim Basha.