E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha Do te rris buxhetin per artin e kulturen ne Tirane

Kandidati për kryetar bashkie në Tiranë, Lulzim Basha ka bashkëbiseduar me banorët e njësisë bashkiake numër 7, platformën e tij, ku për herë të parë vihet në qendër qytetari.

Në formatin e ri që po aplikohet për herë të parë në Shqipëri, “Townhall meeeting”, Basha i është përgjigjur interesit të qytetarëve në lidhje me shqetësimet që hasin përditë si infrastruktura, strehimi, transparenca, e deri tek politikat sociale.

“Do krijojmë një kulturë të re konsensusi me qytetarët, për interesat e qytetit dhe testi më i madh këtu do të jetë plani i ri urbanistik i Tiranës dhe unë ju siguroj se do të bëj gjithçka që ky plan i ri urbanistik të ketë shenjën biometrike të çdo qytetari të Tiranës”, tha ai.

Ndërsa pyetjes se çfarë do të bëjë ai për trajtimin e moshës së tretë, Basha iu përgjigj duke thënë se pikë së pari do të ngrejë pranë çdo njësie vendore një qendër sociale për të moshuarit me kujdes të përditshëm dhe me kapacitet të përnatshme me shtretër, ku të moshuarit do kenë shërbim mjekësor falas, aktivitete ndërvepruese të përditshme me njëri-tjetrin, shtyp falas dhe lehtësi të tjera.

“Do të nisim menjëherë nga puna duke venë territoret publike të Bashkisë në dispozicion të qytetarëve të Tiranës. Do ndërtojmë në këtë mënyrë, në partneritet me sektorin privat, në katër vitet e ardhshme, të paktën 1 mijë apartamente për të pastrehët.

Për çiftet e reja, do të kemi një fond special të garantuar nga Bashkia e Tiranës që do të bëjë të mundur kredi të zbutura” tha ai.

Duke shtuar se në projektin e Lulzim Bashës, një vend të veçantë zë politika për artin dhe kulturën.

Artistët jo vetëm që nuk do jenë më të harruar dhe të braktisur, por sipas Bashës do të gjejnë tek Bashkia një mbështetës të madh të projekteve të tyre.

Për t’u ardhur në ndihmë artistëve, Basha parashikon rritje të buxhetit të Bashkisë për artin dhe kulturën. Duke përqafuar idenë e hedhur nga artistët për ta shndërruar Tiranën në një kryeqytet europian të kulturës, Basha e ka vendosur si objektiv të punës së tij.

Ashtu si për sportistët, edhe për artistët, Basha premtoi ngritjen e një fondi ekselence nga Bashkia.

“Unë besoj se ka ardhur koha që ne ti vemë vetes objektiv që Tirana të jetë kryeqytet europian i kulturës në 5 vitet e ardhshme. Ka ardhur koha që ky qytet dhe qytetarët e tij të marrë përgjegjësitë e veta për trashëgiminë e jashtëzakonshme kulturore e artistike dhe autorët e saj.
Unë jam i vendosur të përdor të gjithë energjitë bamirëse të këtij qyteti, por me Bashkinë në krye, që të themelojmë një fond ekselence për të siguruar dinjitetin e plotë njerëzor në çdo ditë të jetës të çdo autori, prodhuesi, të vlerave artistike kulturore të Tiranës dhe Shqipërisë. Unë ju premtoj se fondin e ekselencës do ta bëj realitet Brenda vitit 2011”, tha Basha.

Në projektin e tij për artin dhe kulturën, ndër të tjera, Lulzim Basha parashikon edhe rikthimin e hapësirave që u përkasin atyre.

Kandidati për kryebashkiak, premtoi ndërtimin e filarmonisë së Tiranës, galerisë Bashkiake dhe qendrës multimediale, si dhe krijimin e hapësirave për artistët e rinj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›