E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha premton Ulje taksash sherbime dhe paga me te mira

Shërbimet e munguara për taksat e mbledhura nga Bashkia e Tiranës, është shqetësimi i të gjithë tregtarëve në kryeqytet.

Përveçse u duhet të paguajnë taksa gjithnjë në rritje, tregtarët duhet të sigurojnë vetë pastrimin dhe gjelbërimin. Ky fakt iu bë i ditur kandidatit për kryetar të Bashkisë Tiranë, Lulzim Basha, nga tregtarët e Medresesë.

Basha u bëri me dije se brenda këtij muaji në krye të Bashkisë, do të ulë taksën e pastrimit dhe do të heqë taksën e gjelbërimit dhe të tabelës.

Kjo sipas Bashës do të ndikojë në rritjen e të punësuarve dhe do të sjellë paga më të mira për punonjësit.

“Paguajmë taksë pastrimi, taksë gjelbërimi, taksa tabele, më shkon rreth 900 mijë lek. Dhe pastrimin e bëjmë vetë”, i tha Bashës një tregtar.
Më tej, një tjetër tregtar tha se paguan 325 mijë lekë taksë për tre muaj ndërsa pagat i ka 150 mijë të vjetra të muaj.

“Duke ulur taksat e bashkisë që ju kushtojnë pothuajse sa një rrogë e juaja, pronarit tuaj, do të këtë më shumë para për një pagë më dinjitoze për punëtorët, po kështu më shumë para për të investuar dhe për të kryer më shumë xhiro. Unë garantoj që për mua, përveç luftës tuaj nuk do të ketë luftë tjetër, beteja që keni ju do të jetë beteja ime.

Do të përkushtohem me mish e me shpirt për ato objektiva që kam deklaruar. Duke filluar me punësimin që njerëzit të kenë para në xhep që të vijnë të blejnë dhe të gjenerojnë tek ju fitim, që tregu të lëvizë dhë të vendosë në lëvizje të gjithë zinxhirin.

Do ta fillojmë me uljen e taksave këtë muaj, se ka hyrë maji. Nuk do flasim për ato që kemi bërë do flasim për çka do bëjmë. Tani kemi punë për të bërë në Tiranë kemi shumë punë për të bërë dhe do arrij gjithashtu gjëra të mira. Siç kemi arritur vizat do arrijmë shumë gjëra të mira për Tiranën”, tha Basha gjatë takimit me tregtarë dhe qytetarë të zonës së Medresesë.

Në projektin e tij për Tiranën, Basha parashikon përmirësimin e kushteve në tregje, përfshi edhe tregun e Medresesë dhe ndërtimin e tregjeve të reja.

Me ardhjen në krye të Bashkisë Tiranë Basha tha se do t’i jepet fund praktikës së pagimit të taksave pa marrë shërbim.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›