E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: Duam kryesinë e OSBE-së në 2012-ën

Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha, deklaroi dje në Helsinki se "Shqipëria e konsideron OSBE-në garante të vlerave të sigurisë dhe një organizëm thelbësor për vendosjen e standardeve, veçanërisht në dimensionin human dhe politiko-ushtarak të sigurisë". Sipas zyrës së shtypit pranë MPJ-së, në ditën e dytë të punimeve të Ministerialit të 16-të të OSBE-së, që po zhvillohet në Helsinki (Finlandë), ministri Basha mbajti një fjalë gjatë së cilës theksoi rolin e OSBE-së në sistemin e sigurisë në Evropë. "Ky është vendi i duhur për të kujtuar se aktiviteti aktual i OSBE-së është i bazuar mbi trashëgiminë e pasur të procesit të Helsinkit, që për më shumë se 30 vjet ka nxitur çështjen e lirisë dhe demokracisë në të gjithë zonën e OSBE-së. Në të vërtetë, ndryshimet demokratike dhe transformimet paqësore në Evropën Lindore nuk do të ishin materializuar pa kontributin e OSBE-së", u shpreh ministri Basha. Në këtë drejtim, ministri Basha vuri në dukje se dokumentet bazë të OSBE-së nga Akti Final i Helsinkit te Karta për Sigurinë Evropiane, ruajnë parimet themelore të konceptit bashkëkohor të sigurisë, demokracisë, respektit për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, shtetit të së drejtës dhe integritetit territorial.

Kreu i diplomacisë shqiptare konfirmoi dhe një herë vendosmërinë e qeverisë shqiptare për të marrë Kryesinë e Radhës së OSBE-së në vitin 2012, si dhe u ndal në zhvillimet në Kosovë dhe rajon. Në mbështetje të kandidaturës shqiptare për Kryesinë e OSBE-së për vitin 2012, ministri Basha theksoi: "Shqipëria ka dëshmuar se ka ndërtuar kapacitetet e nevojshme për një kontribut të tillë, bazuar në një përvojë disavjeçare të drejtimit të suksesshëm në disa forume të rëndësishme rajonale dhe ndërkombëtare". Në fund të fjalës së tij, ministri i Jashtëm uroi Kryesinë greke të OSBE-së për vitin 2009, si dhe siguroi për mbështetjen e Shqipërisë në zbatimin e prioriteteve të saj.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›