E Diel, 1 Nëntor 2026

Topi merr sot çmimin "Kalorësi i Paqes së Mijëvjeçarit"

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i shoqëruar nga Zonja e Parë, Teuta Topi, nisi dje një vizitë në Itali, ku u prit nga Prefekti i Milanos, Lombardi, dhe më pas zhvilloi një takim në Presidencën rajonale me Presidentin e Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni. Kreu i shtetit u shpreh se edhe kjo vizitë, ashtu si edhe ajo e para disa ditëve e Kryeministrit Berluskoni në Tiranë, kontribuon ndjeshëm për thellimin e mëtejshëm të relacioneve dhe shprehu mirënjohjen për ndihmesën e vazhdueshme të Italisë dhënë Shqipërisë përgjatë viteve, duke e konsideruar atë partnerin tonë strategjik. Topi përshkroi klimën e favorshme dhe kuadrin e përshtatshëm ligjor për tërheqjen e investimeve të huaja, duke theksuar se mundësitë e investimeve lombarde dhe bashkëpunimi ekonomik janë shumë të mëdha në fusha si energjetika; infrastruktura, duke përmendur veçanërisht Korridorin 8; turizmi, sidomos ai bregdetar, ku ka nevojë për projekte konkrete; si dhe marrjen e përvojës, ku veçoi përvojën e vyer lombarde në fushën e decentralizimit. Presidenti i Rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni, pasi shprehu kënaqësinë për vizitën e kreut të shtetit shqiptar, theksoi se rajoni që ai drejton dhe investitorët italianë janë të hapur dhe të gatshëm për të shikuar mundësitë e rritjes së pranisë së tyre në tregun e favorshëm shqiptar.

Presidenti Topi është ftuar nga Qendra Ndërkombëtare për Paqen mes Popujve, e cila do ta nderojë kryetarin e shtetit me titullin e lartë "Kalorësi i Paqes së Mijëvjeçarit". Ky titull ndërkombëtar jepet për kontributin e shquar dhe rolin e rëndësishëm moderator të kreut të shtetit në garantimin e Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi, si dhe në ruajtjen e ekuilibrave në arenën politike shqiptare dhe në atë rajonale në shërbim të paqes, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›