E Shtunë, 31 Tetor 2026

Oketa: I kemi kërkuar ndihmë NATO-s për asgjësimin e municioneve

Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës u takua me shefin e Pentagonit, Robert Geits. Përpara takimeve në Pentagon, Oketa ishte në shtetin e Nju Xhersit në kuadrin e projekteve të partneritetit mes Ministrisë së Mbrojtjes dhe këtij shteti. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Oketa sqaroi se do të shikohet mundësia e trupave në Afganistan dhe se Shqipëria do të marrë financime nga SHBA dhe NATO për asgjësimin e municioneve.

Zoti Oketa, marrëdhëniet ushtarake mes SHBA-ve dhe Shqipërisë kanë qenë vazhdimisht të mira. Megjithatë, ku konsiston ndihma amerikane për ushtrinë e Shqipërisë?

Marrëdhëniet me SHBA-të kanë qenë jashtëzakonisht të mira jo vetëm në sektorin e mbrojtjes, por në të gjithë sektorët e tjerë. SHBA kanë qenë, janë dhe do të vazhdojnë të jenë partner kryesor dhe strategjik në çështjet politike, ekonomike dhe ato të mbrojtjes për Shqipërinë. Në kuadër të këtij partneriteti isha i ftuar në Nju Xhersi, në gardën kombëtare, me rastin e 15-vjetorit të bashkëpunimit midis kësaj garde dhe Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Pata takim me gjeneralin Rivs, guvernatorin e Nju Xhersit, i cili pranverën e vitit që vjen do të zhvillojë një vizitë në Shqipëri.

Shqipëria dhe Kroacia do të pranohen në pranverën e ardhshme në NATO. Në vendin tuaj ka filluar prej vitesh reforma e ushtrisë. Në këto kushte, në ç`drejtime do të zhvillohet kjo reformë?

Në të gjitha takimet, dhe aq më tepër në takimet në Pentagon, shprehet siguria dhe besimi se Shqipëria dhe Kroacia do t‘i bashkohen me të drejta të plota Aleancës së Atlantikut të Veriut pranverën e ardhshme. Ajo që më bën të ndihem shumë mirë në këto takime është fakti që kontributi i trupave shqiptare në misionet paqeruajtëse është tejet i çmuar dhe i vlerësuar dhe me këtë rast do të doja të shprehja mirënjohjen për Forcat e Armatosura të Shqipërisë, të cilat jo më larg sesa dje kanë pasur 96-vjetorin e themelimit të tyre.

A pritet të ketë një shtim të forcave shqiptare në misionet në Afganistan apo dhe gjetkë?

Misioni në Irak është një mision i cili përfundon në fund të muajit dhjetor. Për fat të mirë është një mision i përmbushur më së miri. Ky mision mund të quhet i përmbushur me sukses të plotë. Duke pasur në konsideratë situatën në Afganistan, do të shikohet mundësia e kontributit me trupa shtesë atje.

Prania e Shqipërisë në NATO do të ketë përfitime në aspektin politik, por edhe në atë të sigurisë. Por, çfarë përfitimesh të tjera do të ketë vendi juaj konkretisht?

Referuar Forcave të Armatosura, mund të them me bindje se ato janë në rrugën e duhur. Ato kanë një rrugë të qartë veprimi, kanë detyrime dhe obligime të përcaktuara qartë, dhe ne dimë saktësisht se çfarë hapash dhe çfarë reformash duhet të ndërmarrim. Ne këtu kemi edhe asistencën e të gjitha vendeve anëtare të Atlantikut të Veriut. Se çfarë përfiton Shqipëria, natyrisht që është fare e qartë se NATO nuk është thjesht vetëm një aleancë ushtarake, por është edhe një aleancë politiko-ushtarake. Me anëtarësimin e plotë të Shqipërisë dhe Kroacisë rritet edhe siguria në rajon, e cila në fund të fundit në terma ekonomikë përkthehet më shumë investime në Shqipëri. Këto investime do të krijojnë më tepër mundësi punësimi dhe të ardhurash për qytetarët shqiptarë. Nga ana tjetër, demokracia e vendeve tona konsiderohet si një demokraci e konsoliduar dhe funksionale, ku shteti ligjor funksionon më së miri.

Ngjarja e Gërdecit shërbeu për të nxjerrë mësime në shumë drejtime. Çfarë masash po merren në mënyrë që të mos ketë incidente të ngjashme?

Është bërë tashmë e ditur se Ministria e Mbrojtjes ka një plan të detajuar veprimi lidhur me asgjësimin e municioneve. Një plan veprimi i cili ka edhe mbështetjen e qeverisë shqiptare. Referuar këtij problemi, ne kemi mbështetjen e SHBA-ve dhe të gjitha vendeve anëtare të NATO-s. Është një projekt ambicioz dhe tërësisht i realizueshëm, duke pasur në konsideratë gjithë mbështetjen që na sigurojnë vendet e NATO-s. Në 2010 do të asgjësohen të gjitha ato municione të cilat konsiderohen të rrezikshme për popullatën, ndërsa vitet e tjera do të asgjësohen ato municione që nuk konsiderohen të rrezikshme. Përveç mbështetjes që kemi nga të gjithë partnerët ndërkombëtarë, kemi edhe një plan veprimi të saktë. Janë bërë premtime konkrete për të na ndihmuar dhe mbështetur financiarisht. Si ministër Mbrojtjeje i jam drejtuar me një letër Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Shefer, dhe jam i sigurt që do të kemi një përgjigje pozitive për të reduktuar sa më shumë të jetë e mundur afatet e asgjësimit të municioneve të tepërta.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›