Basha: E pavend ambicia për pasuesin e Berishës
Ministri i Jashtëm Lulzim Basha e konsideron të pavend ambicien publike të Jozefina Topallit për pasuese të Berishës në krye të PD-së. Në një intervistë në emisionin “Log” në TVSH ai tha se tani s’mund të flitet për pasues të kryeministrit, që ai e quajti më të suksesshmin e 19 viteve të fundit. Basha foli gjithashtu edhe për vendimin e Gjykatës së Lartë për rrugën Durrës-Kukës dhe aplikimin e Shqipërisë në BE.
Qeveria shqiptare arriti të ketë konsensusin e presidencës çeke, Francës dhe Italisë për aplikimin, ka vende të tjera si Gjermania që janë skeptike, ambasadori gjerman foli së fundi lidhur me këtë çështje. Por ka komente edhe për privatizimin e OSSH nga një kompani çeke apo vizita e Berishës në Francës që u lidh me tenderin e helikopterëve. Cili është komenti juaj?
Presidenca çeke e ka marrë vendimin për të pranuar aplikimin e Shqipërisë pas një konsultimi të plotë me çdo vend anëtar të BE-së dhe pa kundërshtinë e asnjë vendi anëtar të BE-së. Ka një mospërputhje midis retorikës entuziaste dhe të hapur të disa vendeve anëtare dhe nevojës për heshtje apo për shprehje të profilit të mesëm apo të ulët të skepticizmit, që lidhen drejtpërdrejtë dhe vetëm me situata specifike, nacionale të ndonjë vendi anëtar, i cili përballet me sfida specifike që mund të jenë zgjedhjet kombëtare.
Një nga vendet që mbështeti aplikimin ishte edhe Greqia. PS sado që është akuzuar si pro greke, çështjen e varrezave nuk e zgjidhi, e njëjta gjë edhe me kufijtë ujorë, marrëveshja e të cilëve nuk është bërë transparente. Pse gjatë kësaj periudhe keni bërë kaq lëshime ndaj Greqisë dhe të merrni kaq pak nga ata?
Gjatë kohës së PS-së është e vërtetë se nuk u nënshkrua marrëveshje për varrezat, por gjatë kësaj kohe u ndërtuan pa leje në shumë vende të Shqipërisë varreza nga zyrtarë grekë. U kërkuan 3 dhe pastaj 4 varreza nga pala greke që sugjerohej se kishin rënë ushtarë grekë. Ne kërkuam që të kishte vetëm 1. Cili është kompromisi? Ruhet e paprekur pa asnjë mundësi zgjerimi varreza me 57 varre afër Gjirokastrës dhe çdo jehonë tjetër e luftës italo- greke mblidhet në një varrezë të vetme në Këlcyrë. Vijmë te kufiri detar. Është bërë një marrëveshje që bazohet në konventën e detit ku palë janë dy vendet. Negociatat filluan në prill të vitit të kaluar. Nëse Shqipëria apo Greqia dëshironte të shfrytëzonte pasuritë ujore s’mund ta bënte këtë pa delimitimin. Parimi i parë është baraslargësia. Së dyti, është përcaktimi i koordinatave sipas përcaktimit planetar. Kjo sulmohet për të mbuluar jehonën e aplikimit në BE dhe për interesat e shqiptarëve për të lëvizur pa viza.
Cili është shqetësimi për komunitetin çam sot?
Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm më komunitetin çam në Shqipëri. Të dyja çështjet çame janë çështje të përhershme të ngritura në çdo takim nga niveli i mesëm në nivelin e lartë me palën greke. Ne nuk do ta quajmë këtë çështje as të mbyllur as të harruar deri sa të traktati i 1996, i cili hedh bazën e plotë për zgjidhjen e çështjes së pronësisë dhe për mundësinë e çamëve të shpërngulur të rikthehen në trojet e tyre atërore dhe çështje të tjera, që lidhen me këtë të jenë të ezauruara.
Gjykata e Lartë ka dhënë një vendim, që hedh poshtë vendimet e 2 shkallëve të tjera lidhur me rrugën Durrës-Kukës, por ndërkohë ka pasur një vendim tjetër të kësaj gjykate për të pushuar gjykimi i kësaj çështje. Cili është komenti juaj?
Unë respektoj vendimet e çdo gjykate shqiptare dhe e bëj këtë nisur tërësisht nga qëndrimi personal dhe politik i forcës që i përkas. Çdo gjë që ka ndodhur me rrugën Durrës-Kukës shënon një standard të ri. Kam insistuar personalisht për heqjen e imunitetit. Jam vënë në dispozicion të prokurorisë para se imuniteti të hiqej dhe kam qëndruar në dispozicion të saj në një kohë pa limit. Nuk kam qenë unë ai që ka ankimuar afatet e hetimit, por ato u ankimuan nga persona që ishin të përfshirë në të njëjtën çështje me mua dhe u gjetën të shkelura nga gjykatat shqiptare, vendim i cili është i konfirmuar nga Gjykata e Lartë, nga një panel ku 3 nga 5 gjyqtarët që morën vendimin konfirmuan se afatet e vendimit ishin shkelur katërcipërisht. Pas kësaj ka pasur një vendim themeli, i cili konstatoi se prokuroria shkeli ligjin dhe kushtetutën me mënyrën se si veproi në raport me hetimet me rrugën Durrës-Kukës, në veçanti në raport me sjelljen ndaj Lulzim Bashës. Pasi mori autorizimin për ndjekjen penale dogji një periudhë të gjatë kohore dhe nuk arriti të prodhonte as edhe aktet minimale. Kemi të bëjmë me një kontekst politik të ideuar nga zoti Rama, që synon t’u thotë shqiptarëve se nuk po bëhet rruga Durrës-Kukës, por u vodhën 230 milionë euro. Vendimi i djeshëm thotë qartë se çështja është e pushuar. Pse u shkelën procedurat? U shkelën sepse nuk kishte çështje, sepse po të kishte çështje nuk do ishin shkelur procedurat.
Si e gjykoni ju bunkerizimin në PD, pasi vendimmarrja është në dorë të kryeministrit. Zonja Topalli ka shfaqur ambicien e saj për të qenë pasuese e Berishës dhe ka thënë se është barsoletë, që PD-në ta drejtojë Lulzim Basha...
Sot PD ka firmosur marrëveshje koalicioni me 3 parti të tjera, ka aleancën më të gjerë me rininë, një aleancë e sinqertë dhe sjell vlera dhe nuk riciklon të vjetrat. Të thuash që PD është e bunkerizuar është antihistorike. Vetëm në rrethin Elbasanit, Kuvendi përbëhej nga 522 delegatë, 516 morën pjesë në votim. Tre kandidatët përfaqësonin mbështetje të madhe dhe pati një fitore të qartë të një kandidati, që fitoi me meritën e tij dhe nuk pati mbështetje nga lart. Berisha ka atributet kryesore. Është e parakohshme, por edhe i pavend diskutimi për paraardhës apo pasardhës. Është momenti më interesant për të diskutuar për pasardhësin e Ramës.
Ju thoni se është e pavend ambicia e zonjës Topalli për të pasuar Berishën?
Berisha është Kryeministri më i suksesshëm i 19 viteve pluralizëm. Është njeriu, i cili jo vetëm ideoi, shqiptoi aspiratën euroatlantike dhe evropianëve të shqiptarëve, por që e bëri realitet me prillin 2009, i cili nuk është më prilli i thyer, por është prilli i thyerjes së madhe të historisë së kaluar me të ardhmen.
Gjykata e Lartë s‘ka gjyqtarë për Durrës-Kukës
TIRANE – Prokuroria e Përgjithshme dje tha se do të kërkojë rishikimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, e cila më 10 prill 2009, shpalli të pavlefshme dosjen e dërguar për shqyrtim me akuzën “shpërdorim detyre” ndaj ministrit Lulzim Basha. Organi qendror i akuzës tha se është në pritje të zbardhjes së vendimit të fundit të Gjykatës së Lartë, të datës 29 prill 2009, i cili krijoi hapësira për rihapjen e procesit. Bëhet fjalë për vendimin e fundit të Gjykatës së Lartë të shpallur tri ditë me parë, me objekt prishjen e vendimit të Gjykatës së Tiranës (Fatmira Hajdari) dhe Gjykatës së Apelit, të cilat patën konsideruan të pavlefshme thirrjen e Lulzim Bashës në cilësinë e të pandehurit dhe akt-akuzën ndaj tij. Pas rrëzimit të vendimit të Gjykatës së Tiranës dhe Apelit, Prokuroria tha se në bazë të nenit 450 të Kodit të Procedurës Penale, i lind e drejta të kërkojë rishikimin e vendimit të dhënë nga trupa gjykuese më 10 prill 2009, për pavlefshmërinë e dosjes “Durrës-Kukës”. Por pavarësisht se Prokuroria duket e gatshme për të shfrytëzuar çdo hapësirë ligjore për rikthimin e çështjes, duket se procesi në fjalë ndodhet përsëri në një gjendje të komplikuar. Kjo pasi dhjetë gjyqtarë të Gjykatës së Lartë janë konsumuar deri më tani me shqyrtimin e dosjes “Durrës-Kukës” dhe kërkesave paraprake të lidhura me të. Në këtë mënyrë, në Gjykatën e Lartë kanë mbetur vetëm tre gjyqtarë penalistë që mund të shqyrtojnë çështjen, çka në fakt nuk përbën kuorumin e nevojshëm për Kolegjin Penal, i cili sipas ligjit duhet të ketë pesë anëtarë. Megjithatë organi qendror i akuzës bazuar në ligjin penal tha se ka të drejtën e kërkesës për rishikimin e vendimit të 10 prillit 2009, që shfuqizoi thirrjen si të pandehur dhe akuzën ndaj Lulzim Bashës. Nëse Gjykata e Lartë arrin të formojë një Kolegj Penal që do të shqyrtojë kërkesën e Prokurorisë për rishikim vendimi, atëherë çështja mund të rihapet. Kjo pasi aktualisht vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë (Fatmira Hajdari) i cili mori formë të prerë në Apel, duke i hequr Bashës cilësinë e të pandehurit tanimë janë prishur. Pikërisht këto dy vendime të prishura më 29 prill 2009 nga Gjykata e Lartë, ishin në fuqi në fakt më 10 prill kur pesëshja e gjyqtarëve të themelit të çështjes, shpalli të pavlefshme thirrjen e Bashës si i pandehur dhe akt-akuzën e formuluar ndaj tij. tr.so