E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padi firmës së rrugës, nuk u paguan

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Punimet në autostradën Levan-Vlorë rrezikojnë të bojkotohen.Rreth 114 punonjës, kryesisht shoferë e ekskavatoristë i janë drejtuar dje, në ditën e punëtorëve, zyrës së krimit ekonomik në policinë e Fierit ku denoncuan firmën sllovene “Protans Albania” për mashtrim. Sipas tyre, prej katër muajsh, kjo firmë që ka marrë përsipër punimet e këtij aksi nuk ua ka dhënë pagat. Pas katër muajsh pritje e premtimesh boshe, një përfaqësi e 114 punonjësve të palikuiduar janë detyruar t’i kërkojnë ndihmë policisë. Mëngjesin e 1 majit ata u paraqitën në Drejtorinë e Krimit Ekonomik për të denoncuar sipas tyre mashtrimin që po u bëhet nga ana e sllovenëve. Punonjësit, të cilët janë më së shumti shoferë, ekskavatoristë e drejtues mjetesh të rënda, u shprehën se disa herë kishin kërkuar takim me drejtuesit e firmës dhe sipërmarrësit. Por prej disa muajsh ata nuk kishin arritur të gjenin një rrugë të mesme për marrjen e pagave të prapambetura. Punonjësit kërcënojnë se nëse nuk do të merren masa sa më parë për likuidimin e parave të prapambetura, atëherë ata do të bllokojnë automjetet që kanë në përdorim. “Ka më shumë se katër muaj që nuk kemi marrë pagat nga firma sllovene. Kemi ardhur për të denoncuar shkeljet që po na bëhen në drejtorinë e krimit ekonomik, pasi nuk kemi arritur të gjejmë dot një rrugë të mesme me drejtuesit e firmës. Disa herë kemi kontaktuar me një përfaqësues slloven, i cili është edhe personi që merret me ecurinë e punimeve këtu. Ai na ka premtuar shpesh herë, që problemi do të marrë zgjidhje. Por, edhe pse na thanë që problemi i pagave do të marrë zgjidhje, asgjë nuk është bërë”, u shprehën dje të irrituar përfaqësuesit e punonjësve të rrugës Levan-Vlorë. Sipas tyre, disa prej punëtorëve u është dhënë vetëm një pjesë e pagës, për të mbyllur gojën. Por shuma që atyre u është dhënë ka qenë vetëm 10 apo 20 mijë lekë. Më pas gjithçka është lënë sërish në heshtje, ndërsa familjet e 114 punëtorëve janë në mëshirë të fatit. Shumë prej tyre jetojnë vetëm me të ardhurat që sigurojnë nga kjo punë, ndaj edhe janë të detyruar të reagojnë sipas tyre, ndaj kësaj padrejtësie që u bëhet duke u shkelur të drejtat. Mësohet se sipërmarrësit sllovenë kanë shkelur të gjitha pikat e nënshkruara në kontratë. “Të gjithë ne si punonjës kemi kontrata të rregullta me firmën sllovene, por kjo e fundit nuk na ka shlyer lekët që na detyrohet. E para, ka tejkaluar afatet e përcaktuara në marrëveshjen e nënshkruar mes palëve dhe së dyti, nuk kanë bërë asnjë pagesë edhe për punëtorët më të vjetër. Mendojmë se kjo vjedhje nuk po na bëhet vetëm ne, por edhe shtetit, ndaj duhet të merren masa”, vijuan më tej punonjësit që iu drejtuan policisë për të marrë shpërblimin e punës së katër muajve të tyre. Ata morën dje një kontakt me përfaqësues të kësaj zyre të cilët iu premtuan se do të merren me këtë çështje.

Sindikalistët protestë për papunësinë

Dita ndërkombëtare e punëtorëve i ka gjetur sërish aty. Pranë sheshit te “Ushtari i Panjohur”. Por dje në 1 maj nuk janë mbledhur për të kërkuar punë siç bëjnë shumë prej tyre zakonisht. Kanë protestuar bashkë me sindikalistët kundër krizës ekonomike, varfërisë dhe papunësisë. Kryetari i Konfederatës së Sindikatave të Pavarura ka përuruar në mënyrë simbolike një pllakë, ku janë gdhendur shifrat e varfërisë dhe papunësisë. Kjo e fundit kap shifrën e 34 për qind. E ndërsa në vendin tonë për shkak të së kaluarës kjo datë shihet si ditë festë, aktivistët e lëvizjes “Mjaft” kanë këmbëngulur në domethënien reale të saj: “1 Maji nuk është festë. Kjo që ndodh është e kundërta e asaj që duhet të ndodhë në një ditë kur shqiptarët as nuk duhet të blejnë dhe as të shesin gjë. Mos bli asgjë, mos shit asgjë, protesto!”. Dhjetëra të papunë dhe pensionistë kanë treguar me zë të lartë sesa të vështirë e kanë të mbijetojnë në këto kushte. Data 1 Maj ashtu si dhe çdo vit tjetër është kujtuar edhe nga Partia Komuniste. Shumë mbështetës të saj shprehen nostalgjikë për regjimin e kaluar, duke thënë se dikur ata jetonin më mirë se sot.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›