E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, gjykata lë në burg kryetarin e komunës

 

SHKODER - Gjykata e Shkodrës vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për kryetarin e komunës së Pultit, Sokol Cubi. Ai u akuzua për vrasjen tre ditë më parë me armë zjarri, pistoletë të shtetasit Dodë Hili. Në seancën e djeshme gjyqësore, i akuzuari Cubi, kishte ngarkuar me prokurë të posaçme avokatin e tij Ilir Golemin që ta përfaqësonte. Kjo pasi ai nuk ishte në gjendje të ishte i pranishëm  në seancë për shkak se ndodhet në spital dhe i nevojitet ende ndihma mjekësore për plagët e marra me thikë nga ana e viktimës. Pas provave të paraqitura nga organi i akuzës, që implikojnë në vrasje kryetarin e komunës, ky i fundit nëpërmjet avokatit mbrojtës, Ilir Golemi, pranoi krimin e kryer. Prokuroria për arsye sigurie i kërkoi gjykatës ta linte të pandehurin në burg. Ndërsa mbrojtja kërkoi për klientin e tij që t’i caktohet si masë sigurie ajo e arrestit në shtëpi, duke e argumentuar këtë kërkesë edhe me gjendjen e tij shëndetësore. Në përfundim të seancës trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtarja Irida Kacerja e vlerësoi të ligjshëm arrestimin e Sokol Cubit dhe vendosi ndaj tij si masë sigurie arrestin më burg. Gjatë seancës gjyqësore nuk u dhanë hollësi për ngjarjen dhe shkakun e konfliktit mes Cubit dhe viktimës Dodë Hili, pasi kjo është pjesë e hetimeve. Por të nesërmen e ngjarjes, policia e Shkodrës, bazuar edhe në dëshmitë e dëshmitarëve që janë ndodhur në vendin e ngjarjes, pohoi se viktima e kishte akuzuar Cubin se ai po përpiqej të lironte nga burgu gjakësin e tij.            r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›