Kapet dëshmitari i vrasjes së Hajdarit
Etleva Delia
Arrestohet në qendër të Tiranës Petrit Çakrri, personazhi i vetëquajtur dëshmitar i atentatit ndaj ish-deputetit Azem Hajdari. Policia njoftoi dje kapjen e 39-vjeçarit Petrit Çakrri, i arratisur nga burgu i Shën Kollit në Lezhë rreth 3 muaj më parë. Prej më tepër se një muaj, agjentët e policisë kishin rënë në gjurmët e të arratisurit, duke lokalizuar vendstrehimin e tij. Edhe pse i shumëkërkuari qëndronte në qendër të Tiranës, gjatë tre muajve të arratisë u përfol për një largim të mundshëm jashtë Shqipërisë. Petrit Çakrri, ka pretenduar se ka qenë një nga dëshmitarët kryesorë në vrasjen e Azem Hajdarit. Mëngjesin e djeshëm i shumëkërkuari është ndaluar nga agjentët e policisë teksa dilte nga një apartament banimi mbrapa 15-katëshit, në qendër të Tiranës. Sipas policisë, prej tre muajve Çakrri jetonte aty tek disa të afërm të tij. Madje, të dhënat e policisë tashmë, tregojnë se prej kohës kur ai nuk u rikthye në burgun e Lezhës, Petrit Çakrri kishte qëndruar gjatë gjithë kohës në kryeqytet tek kushërinj dhe të afërm të tij. Në një kohë kur i kishin mbetur për të kryer edhe një vit e katër muaj burg, nga dënimi që kishte dhënë gjykata për veprat penale të vjedhjes me dhunë dhe mashtrimit në shuma të mëdha, tashmë 39-vjeçari rrezikon të kalojë edhe 5 vite të tjera në qeli me akuzën e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit.
Tre muaj pas arratisjes nga burgu i Lezhës, ka marrë fund arratia e Petrit Çakrrit. Policia e cila kishte lokalizuar banesën ka qëndruar dje në pritje të lëvizjeve që do të kryente i arratisuri. Sapo ka dalë nga pallati ku strehohej, Petrit Çakrri është gjendur i rrethuar nga agjentë të policisë që i kanë vënë prangat në duar. Mësohet se dhjetëra policisë ishin vendosur në zonë dhe njëherësh të gjithë i kanë bërë thirrje 39-vjeçarit të ndalonte dhe të mos kryente asnjë veprim. E gjithë skena ka ndodhur fare pranë 15-katëshit në Tiranë në oborrin e pallatit ku i arratisuri qëndronte prej disa kohësh. Burimet nga policia thanë se për të arratisurin kishin siguruar informacione operative prej një muaji. Ndjekja në terren e disa të afërmve të tij duket se ka ndihmuar policinë në kapjen e të kërkuarit, i cili tashmë ka mbi supe një akuzë më shumë për arratisje nga burgu.
Dëshmitari i “vrasjes së shekullit”, vjedhje me mashtrim
Çakrri: Pashë përplasjen mes Azem Hajdarit dhe atentatorëve
TIRANE – Në mënyrë publike Petrit Çakrri, është bërë i njohur pasi u konsiderua si dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit. Personazhi që u arratis në fillim të këtij viti teksa po vuante dënimin për “vjedhjen me anë të mashtrimit”, ndaj një shoku të burgut në Tiranë, disa herë është shprehur publikisht në lidhje me “vrasjen e Shekullit”. Ai ka pretenduar se ka qenë okular në veprimet e personave që eliminuan me armë zjarri Azem Hajdarin në shtator 1998. I arrestuari i djeshëm për herë të fundit është akuzuar nga drejtësia për një krim, që e kishte kryer në qelitë e burgut ku vuante një dënim tjetër. Akuza ishte se Çakrri i ka grabitur me anë të mashtrimit 20 mijë dollarë të dënuarit me 20 vjet heqje lirie, Fatmir Kallashi. Ky i fundit, sipas burimeve zyrtare, qëndronte në të njëjtën dhomë me Petrit Çakrrin, në burgun “Mine Peza” (302) në kryeqytet. Duke luajtur brenda qelisë dy të pandehurit, Petrit Çakrri në bisedë e sipër i ka premtuar se do ta lironte nga burgu shokun e qelisë Fatmir Kallashi, nëse do të paguante shumën prej 20 mijë dollarësh. Fatmir Kallashi ka pranuar të bëhet pjesë e skenarit të premtuar nga Petrit Çakrri, në këmbim të lirisë së shumëkërkuar. I vetëkonsideruari si dëshmitar i vrasjes së Azem Hajdarit, kishte dërguar letër tek Avokati i Popullit dhe ka zhvilluar dy greva urie, duke kërkuar lirimin nga burgu. Ai ka dëshmuar për vrasjen e Azem Hajdarit duke pohuar se “ka qenë i ulur 4 metra larg vendngjarjes, në lokalin e quajtur “Hanover” tek ish-hotel Drini. “Pashë Azem Hajdarin të dilte i veshur me pardesynë e bardhë dhe pas tij truprojat Zenel Neza dhe Besim Çerja”, është shprehur Çakri në deklarimet e tij lidhur me atentatin ndaj ish-deputetit të PD-së. “Pasi u afrua në vendin ku isha ulur, pashë që drejt tij në takim po lëvizte Izet Haxhia. U takuan dhe shkëmbyen pak fjalë. Ndërkohë, pashë dyert e makinave që ishin të parkuara aty pranë të hapeshin dhe prej andej të dilnin Fatmir Haklaj, Jaho Salihi dhe krutani Naim Çangu”, ka vijuar dëshminë Pëtrit Çakrri. Sipas tij, kjo situatë “nuk zgjati më shumë se 2 minuta. Ndodhi një zënkë dhe kërcitën armët”, është shprehur më tej Petrit Çakrri në dëshminë e tij. “Unë isha nga të parët që u afrova te trupat pa jetë”, ka pohuar i arrestuari.
Arratia e Çakrrit pas lejes në Shën-Koll
TIRANE – Pas arrestimit në kryeqytet, Petrit Çakrri do t’i dorëzohet drejtorisë së policisë së Lezhës, me qëllim rikthimin e tij nga burgu prej të cilit i kërkuari u arratis më 22 janar 2009. Burimet zyrtare të policisë së kryeqytetit thanë se Çakrri do të dorëzohet tek policia e Lezhës, pasi Prokuroria e këtij qyteti ka hapur një dosje me akuzën e re të “largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit”. Arratisja e Petrit Çakrrit ndodhi më parë ndërsa u zbulua më 22 janar 2009. Atë ditë përfundonte afati i lejes që autoritetet e burgut i kishin dhënë atij për të shkuar në familje dhe më pas për tu kthyer në burg. Rreth orës 13:00 të 15 janarit 2009, në mënyrë normale, i shoqëruar nga personeli i burgut, Petrit Çakrri ka dalë nga qelitë e Shën-Kollit. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Çakrri duhej të rikthehej në qeli në ora 15:00 të 22 janarit 2009, kohë në të cilën ai nuk është dukur të kthehej në burgun ku vuante dënimin. Mosparaqitja e tij ka alarmuar personelin e burgut të Shën-Kollit dhe autoritetet qendrore të burgjeve, ndërsa Drejtori i Përgjithshëm Gazmend Dibra, lajmëroi policinë e shtetit në lidhje me këtë ngjarje. Burgjet kërkuan rishpalljen e të dënuarit në kërkim ndërkombëtar. Ndërkaq nga arratia, Petrit Çakrri deklaroi për mediat elektronike se drejtësia po bënte ndaj tij një padrejtësi, pasi ai e kishte vuajtur dënimin e dhënë ndaj tij nga gjykatat. Megjithatë burgjet thanë se Çakrri kishte edhe 1 vit e katër muaj burg për dënimin e vjedhjes me anë të mashtrimit. Pavarësisht kësaj tashmë Petrit Çakrri duket se do të rikthehet në qeli dhe nuk do të ketë të drejtën e përfitimit të lejes javore. Ai gjithashtu, do të gjykohet për akuzën e largimit nga vendi i vuajtjes së dënimit për çka rrezikon 5 vjet burg nëse shpallet fajtor.