“Fokusi i Bashkisë, punësimi i të rinjve”
Kryebashkiaku i Tiranës Lulzim Basha prezanton Planin Urbanistik në panarin “Work & Study”
“Bashkia e Tiranës do të kreditojë bizneset e reja të vogla dhe të mesme të nisura nga qytetarët nën moshën 35 vjeçare. Ky program i bashkisë së kryeqytetit i parashikuar për buxhetin e vitit të ardhshëm ku përfshihet një fond prej 2 milion eurosh do të mbështesë biznesmenët e rinj për të hapur sa më shumë vende të reja pune”.
Kështu u shpreh dje kryetari i bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha gjatë prezantimit të planit urbanistik të Tiranës, në çeljen e panairit “Work&Study”, në kryeqytet.
“Unë kam besim të plotë se kësaj përpjekjes tonë, e cila në themel ka besimin tek biznesi i vogël, besimin tek sektori privat, si gjeneratori më i sigurt i vendeve të punës, do t’i bashkëngjiten së shpejti fonde private apo jo qeveritare me të cilat jemi në diskutime, por edhe vetë qeveria e Shqipërisë në mënyrë që ky fond brenda vitit 2013, të arrijë jo më pak se 6 milionë euro, para që do të destinohen tërësisht për garantimin dhe kreditimin me interesa të ulëta të qytetarëve të Tiranës, nën moshën 35 vjeçare, të cilët duan të hapin biznesin e tyre. Skema është në përfundim dhe jam i sigurt se përveç impaktit që do të ketë në rritjen e punësimit, do të ketë edhe një impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e konkurrueshmërisë, besimit dhe optimizmit që karakterizon këtë qytet dhe qytetarët e saj”, u shpreh Basha.
Sipas tij, në Tiranë gjatë periudhës nga fundi i 2011-2012 janë krijuar 6090 vende të reja pune nga biznesi i madh dhe i vogël dhe puna e bashkisë është përqendruar në tre drejtime kryesore që janë përmirësimi i klimës së biznesit, punët publike dhe orientimi i vendeve të punës drejt rinisë.
“Punët publike që kanë nisur anembanë Tiranës kanë siguruar deri tani 250 vende të reja pune dhe ju kujtoj se është vetëm 1/3 e punëve publike ndërkohë që të tjera priten të hapen dhe me volume më të mëdha. Shpresoj se në fund të ekzekutimit të punëve publike të parashikuara në buxhetin e vitit 2012, të cilat po kështu po prokurohen në mënyrë transparente dhe në respekt të plotë të ligjit, qyteti i Tiranës do të fitojë edhe 1000 vende të reja pune dhe këtu nuk llogaris ato punë madhore, të cilat po kryhen në bashkëpunim edhe me fondet e qeverisë shqiptare, si Unaza e Madhe e qytetit apo ndërhyrje të tjera në infrastrukturë të cilat në vetvete përllogariten të kenë krijuar mbi 400 vende të tjera të reja pune”, tha kryebashkiaku.
Qëllimi kryesor i bashkisë më të madhe në vend për sektorin e punës lidhet kryesisht me punësimin e të rinjve. Brenda qershorit të vitit që vjen jo më pak se 3000 vende të reja pune, e veçanërisht për rininë pasuniversitare të Tiranës do të sigurohen nga një bashkëpunim i akorduar mes bashkisë dhe Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë. Pikërisht ka të dy këto institucione është organizuar edhe edicioni i tretë i Panairit “Studimet dhe Punësimi” i cili në tre ditët që do të qëndrojë i hapur do të krijojë mundësi shkëmbimi mes kërkesës dhe ofertës për punë. Një vit më parë nga ky panair janë siguruar 300 punësime brenda periudhës së 3 mujorit të parë pas mbajtjes së tij.