“Përmbushja e 3 kritereve, përpara dhjetorit”
Ambasadori i BE-së, Ettore Sequi i dorëzon progres-raportin kreut të LSI-së, Ilir Meta
Është e nevojshme fillimi i punës për realizimin e reformave të mbetura pezull. Ky ishte apeli i ripërsëritur sërish sot nga ambasadori i BE-së në Tiranë, Ettore Sequi gjatë takimit me kreun e LSI-së, Ilir Meta, të cili i ka dorëzuar progres raportin e KE-së.
Ambasadori Sequi shprehu kënaqësinë e tij për rekomandimin pozitiv nga ana e Komisionit Evropian duke theksuar se çështjet e mbetura duhet të adresohen me urgjencë maksimale për të mundësuar konfirmimin e statusit të vendit kandidat brenda këtij viti.
“Përmbushja e reformave, të nevojshme në mënyrë që Këshilli Evropian ta pranojë rekomandimin që ka bërë Komisioni Evropian për dhënien e statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, është e mundshme. Është e domosdoshme që të punohet më tej duke u bazuar te këto arritje të cilat janë bërë tashmë të njohura në raportin e progresit të Komisionit Evropian. Këto arritje kanë qenë të mundura nëpërmjet dialogut dhe frymës së kompromisit. Ky është interesi më i mirë i Shqipërisë për sa i përket rrugëtimit të saj për projektin e integrimit në Bashkimin Evropian”, u shpreh ambasadori Sequi.
Nga ana e tij, kreu i LSI-së, Ilir Meta e falenderoi Ambasadorin Sequi për punën e madhe të realizuar nga Delegacioni i BE-së në Tiranë si dhe për rolin e rëndësishëm të Komisionit Evropian në rekomandimin e tij për dhënien e statusit të vendit kandidat.
Ilir Meta shprehu një vlerësim të veçantë edhe për kontributin personal të Sequi dhe ekipit të tij në Tiranë, në mbështetje të avancimit të axhendës evropiane të Shqipërisë.
Ilir Meta u shpreh se pavarësisht se kjo arritje e Shqipërisë ishte e vonuar, ky është një moment pozitiv për integrimin evropian të Shqipërisë dhe se e gjithë energjia gjatë javëve në vazhdim duhet përqendruar në plotësimin e kërkesave të mbetura në mënyrë që vendet anëtare të miratojnë statusin e vendit kandidat në dhjetor të këtij viti.
“Ne do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me të gjitha forcat politike në Parlament dhe jashtë Parlamentit, me të gjitha aktorët e tjerë të rëndësishëm në këtë proces, ku shoqëria civile dhe media kanë një rol të veçantë për të luajtur dhe në të ardhmen. Natyrisht në do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë edhe me delegacionin e Bashkimit Europian këtu, me të gjithë përfaqësuesit e vendeve partnere të Bashkimit Europian, edhe më të gjitha strukturat në Bruksel, që nga Komisioni Evropian, Parlamenti Europian, pasi të gjithë së bashku kemi një objektiv të përbashkët që Shqipëria të bëhet sa më shpejt pjesë e Bashkimit Evropian dhe njëkohësisht që Shqipëria të jetë sa më shpejt pjesë e këtij projekti të përbashkët”, tha Meta.
Ndërkohë, Sequi shprehu një vlerësim të veçantë për rolin e Ilir Metës dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim në nxitjen e bashkëpunimit politik mes palëve si dhe për përqendrimin në prioritetet e Bashkimit Evropian, duke shtuar njëkohësisht se ky rol mbetet i rëndësishëm gjatë javëve dhe muajve në vazhdim