E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarja e Kuvendit, takim me deputetin e Bundestagut Ackerman: Gjermania kontribut të jashtëzakonshëm

13-10-2012 / Gazeta 55

Topalli: Do përmbushim detyrimet e integrimit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli vlerësoi kontributin e Gjermanisë në procesin e integrimit të Shqipërisë në BE. Gjatë një takimi me deputetin e Bundestagut gjerman, Jens Ackerman, kryeparlamentareja Topalli garantoi se, me rekomandimin e statusit të vendit kandidat nga KE, Shqipëria do përmbushë të gjitha detyrimet e integrimit. 
Topalli vlerësoi se Gjermania dhe përfaqësuesit e Bundestagut kanë dhënë një mbështetje të jashtëzakonshme për Shqipërinë dhe rajonin në terma politikë, ekonomikë, ushtarakë, e të tjerë. “Vizita para pak kohësh e Ministrit Gjerman të Ekonomisë ishte një shenjë e jashtëzakonshme dhe e fuqishme që Gjermania përmes kësaj vizite tregoi për fokusimin dhe investimin  e saj  në politikën e jashtme  dhe ekonomike në Shqipëri. Sigurisht që ndamë bashkë gëzimin e madh të një guri kilometrik të rëndësishëm që shqiptarët dhe Shqipëria kanë arritur në procesin e tyre të integrimit dhe në rrugën e projektit të tyre të ëndrrës evropiane. Me zemër i thashë përfaqësuesve të Bundestagut gjerman se, Gjermania dhe ju gjermanët jeni aksionerë të këtij suksesi të Shqipërisë në këtë rrugë në të cilën besojmë që do ta arrijmë sa më të shpejt”, u shpreh Topalli.
Nga ana e tij, deputeti i Bundestagut gjerman Jens Ackerman vlerësoi arritjet e rëndësishme të Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit në BE.
Duke folur për forcimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, Ackerman tha se Shqipëria ka një potencial shumë të madh, veçanërisht në fushën e turizmit dhe kjo është një mundësi shumë e mirë për rritjen e numrit të turistëve gjermanë në Shqipëri.
“Gjermanët njihen si kursimtar, megjithatë në një drejtim ku ata nuk kursejnë kurrë, janë pushimet e tyre vjetore. Unë mendoj se pikërisht në këtë fushë, në fushën e turizmit Shqipëria ka mjaft potencial për të ofruar për nga peizazhet malore, bregdeti, kultura, njerëzit e sjellshëm, të dashur e mikpritës. Shqipëria pati një tendë mjaft cilësore edhe në panairin e turizmit që u zhvillua në Berlin”, tha ai.
Anëtari i Bundestagut gjerman ndodhet në Shqipëri, në kuadër të projektit të përbashkët për dhënien e bursave studentëve shqiptar, të cilët do të bëjnë praktikën e tyre në Bundestagun gjerman.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›