E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Fonde për qendrat e viktimave të trafikut

 Në takimin me përfaqësuesit e Koalicionit Kombëtar të Strehëzave Antitrafik, Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha shprehu angazhimin për të konkretizuar sa më parë porosinë e Kryeministrit Berisha për të mbështetur financiarisht qendrat e pritjes së viktimave të trafikimit.  "Jeni partnerë jashtëzakonisht të rëndësishëm të qeverisë në luftën kundër trafikut dhe në këtë kuadër ju kërkoj të sillni sa më shpejt të detajuara propozimet dhe nevojat tuaja për bashkëfinancim nga qeveria shqiptare. Pas kësaj, unë ju siguroj që së bashku me kolegun Ksera, do t'i përparojmë dhe do t'i kalojmë në Këshillin e Ministrave brenda një kohe sa më të shkurtër",-tha Ministri Basha. Ministri vlerësoi se suksesi i partneritetit me organizatat që veprojnë kundër trafikimit të qenieve njerëzore dëshmohet edhe nga raporti i fundit i Departamentit të Shtetit të SHBA që e hoqi vendin tonë nga lista e vendeve në vëzhgim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›