E Diel, 1 Nëntor 2026

PS: Përmbytjet u menaxhuan me sms, Stojku: Urdhrat nga Komisioni

 Partia socialiste akuzoi qeverinë dhe ministrinë e Energjetikës se menaxhoi situatën e përmbytjeve në Shkodër përmes celularit dhe sms-ve. Deputetja e PS-se Mimi Kodheli deklaron se shteti funksionoi në mënyrë skandaloze në menaxhimin e emergjencës gjatë përmbytjes në Shkodër. Ajo iu referua një letre nëpërmjet së cilës drejtori i KESH-it, Muharrem Stojku i kërkon Ministrit Prifti që urdhrat të mos i transmetojë me mesazhe celularësh por në rrugë zyrtare. "Në datën 7 Janar, drejtori i përgjithshëm i KESH, përmes një letre zyrtare me numër protokolli 89, i kërkon Ministrit të Energjetikës, Dritan Prifti që urdhrat dhe masat e dhëna nga kjo ministri të bëheshin tashmë në rrugë zyrtare dhe jo më përmes telefonit apo sms-ve, në mënyrë që këto urdhra të ishin të zbatueshme. Një turp i madh, i shkruar në letër, e zezë mbi të bardhë. Në kulmin e emergjencës, teksa uji vërshonte nga digat duke përmbytur dhe përparuar gjithmonë e më shumë në zonën e Shkodrës, qeveria shqiptare jo vetëm ishte e vonuar në masat e marra, por ishte dhe në kundërshtim me ligjin në urdhrat që lëshonte. Shkodra u përmbyt pasi kjo qeveri nuk zbatoi ligjin dhe nuk zbatoi rregulloren", deklaroi Mimi Kodheli. Drejtori i Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare Muharrem Stojku, tha dje për Panoramën se çdo urdhër i marrë nga ministria e Energjetikës që në fillim të situatës së vështirë në kaskadën e Drinit është bërë në rrugë zyrtare. Ky prononcim vjen pas akuzave të Parisë Socialiste se urdhrat nga ministria tek korporata janë dhënë me mesazhe telefoni deri në datë 7 janar. "çdo komunikim është bërë në mënyrë të shkruar, e para sepse jemi institucione dhe e dyta sepse vendimet kalojnë nga Komisioni i Posaçëm i ngritur në situata të tilla. Duhet të theksoj që kur situata në kaskadë bëhet problematike vendimet nuk janë më mes KESH dhe ministrisë, por rol të rëndësishëm luan Komisioni i Posaçëm për Shkarkimin e Plotave dhe vetë krijimi i këtij komisioni nuk e lejon këtë" u shpreh Stojku. Sipas tij për çdo urdhër është vepruar duke e dërguar me shkresë në mënyrë që gjërat të jenë të qarta dhe të mos dilet nga rregulli institucional. Një javë më parë në lidhje me të njëjtat akuza ka reaguar edhe ministri Dritan Prifti i cili shpjegoi se në ditët që ai ka qenë në Turqi vendimet janë firmosur nga zëvendësministri. Në të njëjtën ditë ministri tregoi për mediat shkresat me urdhrat përkatës që janë marrë gjatë ditëve që ai nuk ka qenë në Shqipëri.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›