Përmbytja, 180 specialistë për dëmet
SHKODER/ RITVAN DIBRAPlot 180 vetë do të zbresin në terren për të përcaktuar dëmet e shkaktuara nga përmbytja në qarkun e Shkodrës dhe të Lezhës. Ky grup gjigant pune do të mbërrijë në zonën veriperëndimore në fillim të javës. Menjëherë ai do të nisë nga puna për të udhëhequr fazën tjetër, atë të post-përmbytjes. Nisja e punës së ekspertëve u bë e ditur pasditen e djeshme, gjatë mbledhjes së Komitetit Ndërministror i Emergjencave. EkspertëtMësohet se specialistët do të atashohen pranë Këshillave të Qarqeve, të cilët do të udhëheqin këtë fazë sa të rëndësishme, por edhe aq të vështirë, pas katastrofës natyrore që përfshiu veçanërisht rajonin e Shkodrës. Me vendimin e qeverisë së dy ditëve më parë duket se do të marrë fund ankthi i banorëve të përmbytur në lidhje me evidentimin dhe dëmshpërblimin financiar të tyre. Kapërcimi i emergjencës ka bërë që ky grup i madh specialistësh të dalë në terren për të parë dhe shënuar nga afër dëmet reale të shkaktuara nga përmbytjen e këtij fillimviti. Në këtë grup do të bëjnë pjesë specialistë qendrorë të Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ministrisë së Bujqësisë, të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, të Ministrisë së Brendshme, të Arsimit, të Shëndetësisë, nga ALUIZNI, por dhe nga specialistë vendorë të qarkut të Shkodrës dhe të Lezhës e komunat e prekura nga përmbytja. Sipas kreut të këtij komiteti, ministrit të Brendshëm, Lulëzim Basha, ky grup pune do të ketë për detyrë që të evidentojë me seriozitet, ndershmëri dhe realitet të gjitha dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, si dhe përcaktimin e faturës financiare të dëmshpërblimit të banorëve të 7 njësive vendore. Brenda muajit shkurt parashikohet që të nisë dhe dëmshpërblimi i të përmbyturve.Masat Paralelisht me punën e këtij grupi është vendosur që të merren edhe disa masa me afat 2 javor që kanë të bëjnë sërish me pasojat e përmbytjeve. Sipas dikastereve përkatës u janë lënë detyra që të ndjekin realizimin e tyre hap pas hapi. Së pari do të bëhet dezinfektimi i banesave dhe të tokave në afërsi të banesave, klorifikimi i ujit të pijshëm me qëllim vënien në eficencë sa më parë të stacioneve të ujit të pijshëm për 17 fshatra të këtyre zonave, standardizimi i shëndetit për këta banorë, vënia në funksionim të plotë të qendrave shëndetësore të zonave të përmbytura. Detyra të tjera të rëndësishme janë: përforcimi i atyre argjinaturave që patën probleme gjatë përmbytjeve, përshpejtimi i kullimit të tokave dhe vënia në punë me kapacitet të plotë të hidrovoreve si dhe furnizimi me bazë ushqimore për gjënë e gjallë të këtyre zonave, të paktën deri në fund të muajit mars.Projektet Mësohet se të martën, Komiteti Ndërministror do të zhvillojë një takim me donatorët strategjikë të vendit tonë siç janë BB Komisioni Europian, qeveria zvicerane, etj. Gjatë këtij takimi do të bëhet prezantimi i projekteve emergjente, të cilat jo vetëm që do të bëjnë eliminimin e dëmeve të shkaktuara nga përmbytjet, por ato do të mund të sigurojnë edhe një përmirësim të jetës së banorëve në këto zona. Për hartimin e tyre do të përdoren modelet standarde të granteve konkurruese dhe do të jenë të njëjta për të gjitha njësitë vendore. Fillimisht ato do të hartohen nga njësitë vendore të qarkut, pasi janë ato që i dinë më mirë se ku i kanë pikat e dobëta dhe cilat janë nevojat e tyre dhe më pas këto projekte do të grumbullohen në këshillat e qarqeve. Më pas projektet do të dërgohen pranë ministrive përkatëse, ku do të bëhen dhe korrigjimet e duhura. "E rëndësishme është që këto projekte të jenë sa më të plota, të besueshme dhe të pranueshme për donatorët", u është shprehur ministri Basha drejtuesve vendorë në takim. Kryefamiljari: Uji arriti 1.6 m, i kemi fotografuar dëmet e shtëpisëBanorët e zonave të përmbytura kanë nisur të kthehen në banesat e tyre dhe të kryejnë inventarin e dëmeve materiale. Uji në pjesën më të madhe të banesave në lagjen "Ajasëm" i ka kaluar 1.50 cm. Kjo situatë ka bërë që edhe ato shtëpi që ishin ndërtuar në mbi 1 metër lartësi nga toka të përmbyten e t'u dëmtohet edhe një pjesë e mirë e pasurisë së tyre. Banorët po përfitojnë këto ditë me diell që të thajnë rrobat dhe ato pak pasuri që kanë shpëtuar nga një situatë e tillë. Njëri prej tyre është edhe Kujtim Mehmeti, kryefamiljar i një prej 40 shtëpive të përmbytura në këtë lagje.Prej sa vitesh jetoni në këtë lagje dhe si e keni përjetuar këtë situatë përmbytjesh? Kam tre vite që unë vetë i katërt jam shpërngulur nga Mjeda në lagjen "Ajasëm". U larguam nga vendi i ujit të Vaut të Dejës dhe erdhëm në vendin e ujit buzë Kirit dhe Drinit. Ne nuk mund ta mendojmë jetesën larg ujit. Fillimisht para se të ndërtonim shtëpinë pyetëm fqinjët tanë me të vjetër në lagje, se sa duhej ta ngrinim shtëpinë nga toka pasi dihet që kjo zonë përmbytet nga uji. Vendosëm që të ndërtojmë mbi 1 m nga toka. Por uji i këtij janari i kaloi të gjithë ato nivele çfarë dinin banorët e kësaj lagjeje, pasi niveli arriti rreth 1.6 m, gjë e cila na çoi dëm edhe atë pak pasuri që arritëm të bëjmë. Si rrodhën ngjarjet në ditët e para të janarit? Sapo mbërriti Berisha në Shkodër me 2 janar ku njoftoi se jemi në prag katastrofe, fill atë natë mbërritën në shtëpinë tonë punonjësit e Policisë Bashkiake. Ata na kërkuan që të largohemi nga shtëpia, pasi mendohej që uji do të vinte i lartë dhe se rrezikohej jeta jonë. Ne iu bindëm urdhrit, por nuk shkuam tek Hotel Rozafa. Vendosem të shkojmë te miqtë tanë. Aty ndenjëm nja dy ditë dhe kur e pamë se uji nuk ishte aq i lartë saqë të përbënte problem vendosëm të ktheheshim në shtëpi. Por sapo u kthyem, më 6 janar vërshoi uji, i cili jo vetëm që kaloi 1 metër, por filloi të depërtojë brenda në shtëpi. Atëherë u detyruam që të marrim një varkë e të largohemi me teshat e trupit, pasi bëhej fjalë për të shpëtuar kokën e jo teshat. Uji arriti të depërtojë rreth 40-50 cm brenda në banesë. Vetëm nga data 16 janar kur ra niveli i ujit e pamë se çfarë kishte ndodhur në shtëpi. A keni bërë ndonjë inventar të dëmeve paraprakisht dhe a mendoni se do të dëmshpërbleheni? Nga dëmet më të mëdha mund të përmendim dëmtimin fizik të banesës si dhe nxjerrjen jashtë funksionit të një pjese të pajisjeve dhe orendive shtëpiake, të rrobave. etj. Gjëja e parë që kemi bërë që nga largimi i ujit e deri më sot është tharja e banesës dhe të rrobave. Të shpëtojmë atë çfarë mund të shpëtohet nga kjo situatë e padëshiruar si për ne, ashtu edhe për qeverinë. Pa llogaritur disa dëme në kafshë apo shpendë shtëpiake. Tani askush nuk po vjen të na verifikojë dëmet e shkaktuara nga përmbytja. Unë i kam filmuar dhe fotografuar gjendjen e ditëve të para që na shkaktoi përmbytja, por nuk e di a do të shërbejnë si prova për grupin e vlerësimit. Gjithsesi jemi në pritje prandaj nuk po nxitohemi të flasim fjalë të paqena para kohe.