E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllet "Tema", Baze: Dita e fundit në treg

 Gazeta "Tema" nxjerr sot në treg numrin e fundit të saj. Botuesi i saj, Mero Baze, në një editorial të tij në faqen online (në internet), lajmëron mbylljen e gazetës. "Kjo është dita e fundit kur gazeta "Tema" do të jetë në treg. Pas një përpjekjeje për të mbijetuar pas më shumë se një viti, në kushtet e bllokimit arbitrar prej policisë dhe shkatërrimit të investimeve të saj, situata financiare ka kaluar kufijtë e mbijetesës. Gjykata e Tiranës, e cila duhet të shqyrtonte, edhe për shkak të rëndësisë së ngjarjes me precedencë, padinë e ngritur ndaj Ministrisë së Ekonomisë dhe asaj të Rendit, për shkatërrim të pasurisë dhe investimit të bërë pranë ish-Tipografisë Ushtarake, ende nuk kanë bërë seancën e parë të rregullt gjyqësore pas më shumë se një viti nga koha kur është ngritur padia", shkruan Baze në editorialin e tij. Baze thekson se "në këto kushte gazeta nuk mund të mbijetojë, po të kemi parasysh, jo vetëm shkatërrimin e investimeve, por dhe mungesën e reklamave dhe politikën e frikësimit që shteti ndjek ndaj bizneseve që reklamojnë në gazetë. Kontrollet selektive financiare dhe presionet që nisin me bilancet e gazetës prej vitit 2004, po ashtu e kanë forcuar klimën armiqësore ndaj nesh". "Tema" doli në tregun shqiptar 11 vite më parë. Ndërkohë që dje në mbrëmje, sipas disa raportuan se Baze ndërsa ndodhej në një qendër tregtare "City Park", e ndodhur përgjatë rrugës Tiranë-Durrës, Baze është qëlluar me grusht në fytyrë nga gazetari i TV Klan, Enkel Demi. Një lajm i tillë konfirmohet nga televizioni "Ora News". Sipas dëshmive nga vendi i ngjarjes, dy gazetarët u përfshinë në një debat mes tyre, që kishte lidhje me funksionin e bashkëshortes së Enkel Demit, Mesila Doda, deputete e Partisë Demokratike në Kuvendin e Shqipërisë. Pas debatit verbal mes dy gazetarëve, dëshmitarët nga vendi i ngjarjes thanë se Enkel Demi ka qëlluar me grusht në fytyrë Mero Bazen dhe më pas është larguar. Baze ka shkruar disa artikuj, ku ka përmendur emrin e Dodës, gruas së gazetarit Enkel Demi. Policia ende nuk ka ndonjë version të sajin për ngjarjen.  Vetë Baze nuk jep ndonjë deklaratë në lidhje me këtë incident. Ndërsa bashkëshortja e Demit, Mesila Doda theksoi për "Panorama" se "nuk ka pasur asnjë konflikt apo incident me botuesin e gazetës 'Tema'".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›