Dade: Fundi i bojkotit në dorë të Sali Berishës
Partia Socialiste do të përdorë çdo mjet dhe mënyrë demokratike për të mos lejuar degradimin e mëtejshëm të një shtetit në shërbim të pushtetit. Kështu deklaroi deputetja e PS-së, Arta Dade, në konferencën e djeshme për shtyp. "Nuk është bojkoti që krijon krizën, por kriza që sjell bojkotin. Bojkoti tashmë është në dorë të Sali Berishës. Kërkesa jonë është e thjeshtë: Shumicën në një komision hetimor parlamentar, të pakushtëzuar në objektin e hetimit, që përfshin hetimin e kutive së bashku me materialet zgjedhore, për të zbardhur të vërtetën e 28 qershorit. Pa u garantuar e drejta e votës nuk mund të ketë demokraci në Shqipëri. Dhe për të risjellë demokracinë në këtë vend, ne do të përdorim çdo rrugë demokratike, pa lënë dhe protestat dhe nuk do të pranojmë të bëhemi pjesë e dekorit në kutinë e mbyllur të parlamentit të Berishës dhe Topallit", theksoi Dade.