Digjen apo s’digjen mandatet…
Gëzim Podgorica Digjen apo s’digjen mandatet? Kjo pyetje disi më shumë me karakter retorik ka përfshirë prej kohësh politikanë, juristë dhe analistë të shtypit, pasi ngërçi institucional i krijuar nga bojkoti parlamentar i opozitës po afrohet në limitet e veta ligjore. Si një rast pa precedent, normalisht që interpretimi i këtij rasti tërheq vëmendjen e gjithë opinionit publik, pasi lidhet edhe me zhvillimet e ardhshme që kondicionohen nga kjo situatë. Tensionin më të madh për perspektivën e kësaj zgjidhjeje e ka në mënyrë të veçantë Partia Socialiste, pasi rrezikimi i mandateve, destabilizon shumë raportet e saj të brendshme, që pavarësisht dukjes, vazhdon të mbetet në një udhëkryq vendimmarrës. Fakti që pranë këtij subjekti, një grup juristësh po punojnë për të gjetur të gjitha interpretimet e mundshme ligjore të mbrojtjes së mandateve, tregon se shqetësimi është prezent dhe presioni është në rritje. PS-së me sa duket i duhet me çdo kusht garancia ligjore, për të bindur deputetët për paprekshmërinë e mandateve, për të vijuar me radikalizmin politik të sjelljes së saj dhe vazhduar me mos hyrjen në Parlament. Një situatë, e cila vendos pikëpyetje për këtë çështje ka ndezur një debat të brendshëm, që me sa duket do të çojë drejt një rebelimi të mundshëm në radhët e selisë rozë. Prandaj jo rastësisht po studiohen të gjitha variantet që mund të mbrojnë mandatet, por që në fakt lidhen me mbrojtjen e rrugës radikale të nisur, ku pasuesit gjithnjë e më shumë po lodhen. Kjo si nga mungesa e perspektivës së këtyre veprimeve politike, ashtu edhe nga mungesa e lirisë që po pësojnë për ditë e më shumë në kurriz të zgjedhurit e pamandatuar. Asambleja që pritet të mblidhet pas dy javësh do ta ketë shumë të vështirë zgjidhjen e kësaj nyjeje të krijuar, pasi çdo vendim që do merret nuk mund të kalojë pa pasoja për inicuesin e këtij radikalizmi të pashoq. Rama e di shumë mirë këtë dhe e ka të vështirë të gjejë moderacionin e zgjidhjes. “Shumica e heshtur”, sipas Blushit, është logjikshëm në favor të hyrjes në Parlament, aty ku prodhohet politikë dhe ku deputetët ndjehen të vërtetë në rolin e tyre. Por hyrja në Parlament do të ishte një goditje shumë e madhe për strategjinë e aplikuar deri tani dhe do të tregonte se gjashtë muaj veprime dhe kokëfortësi politike shkuan kot. Realiteti ky është. Bojkoti nuk i dha më shumë cilësi e veprim racional opozitës, nuk e emancipoi si forcë, përkundrazi e vuri në pozita refraktare me të gjithë faktorët që ishin kundër bojkotit, veçanërisht faktorin ndërkombëtar. Përballë këtij bilanci negativ, duket se Rama ka zgjedhur të rezistojë deri në fund për të mbrojtur teorinë e vet, pasi një sjellje ndryshe do të dobësonte pozitën e tij, si brenda strukturave, ashtu edhe në bazë, të cilët janë ushqyer dhe vazhdojnë të ushqehen me idenë e zgjedhjeve të parakohshme dhe drejtësinë e kauzës së ndjekur. Pikërisht se bën mirë këtë llogari dhe vetëm radikalizmi e mban në pozita të forta, ai këmbëngul në mos hyrje në Parlament, duke rriskuar në të gjitha planet, por edhe duke i rezistuar presionit që sa vjen e rritet, si nga brenda, ashtu edhe nga jashtë për vlefshmërinë e mandateve. Diskutimi i hapur, nëse digjen apo jo mandatet, është një kërkesë për frymëmarrje që ka nevojë në momentin aktual lidershipi socialist, pasi përgjigja nuk ka arsye të kërkohet juridikisht, kur nevojitet të jepet vetëm politikisht. Por meqenëse alternativat e PS sa vijnë e shterojnë, bilanci i aksionit politik të derisotëm është i pasuksesshëm dhe platforma e së ardhmes mungon, interpretimi i mandatave shtyhet të bëhet juridikisht, kur ato janë dhe mbeten mandate politike. Disa nga opsionet që po diskutohen janë të padenja për përgjegjësinë që duhet të ketë një forcë politike serioze.Cazus-i për të bërë vetëm një check-in, jo vetëm e komprometon politikisht hyrjen në Parlament, por edhe ul ndjeshëm kreditet e kësaj force politike, e cila i redukton angazhimet dhe veprimet e saj deri te frika e djegies së mandateve dhe benificet që rrjedhin nga prania në Parlament. Një hyrje për të marrë rrogën dhe siguruar priviligjet e tjera, tregon se morali i luftës së deritanishme politike të kësaj force nuk paska qënë i vërtetë në thelbin e saj dhe jo shumë i sinqertë. Hyrja në Parlament duhet të jetë me bindje dhe jo për të shpëtuar mandatet. Duke qënë asete politike, mbrojtja e tyre bëhet përmes pranisë parlamentare, veprimtarisë dhe ushtrimit të të gjitha funksioneve dhe detyrimeve që ka një deputet dhe në asnjë mënyrë vetëm si një privilegj. Dilema e djegies apo jo të mandatave, e interpretuar në planin juridik, dëshmon frikën që ka brenda radhëve të PS-së për të ruajtur kompaktësinë e grupit, ndërkohë që i gjithë debati ka nevojë të fokusohet në planin politik. I parë në këtë këndvështrim, ai i jep dimensionin e vërtetë debatit dhe krijon lirinë e nevojshme për të diskutuar në planin e përgjegjësive që ka deputeti dhe jo të përfitimeve që sjell qënia si i tillë. Kjo jep më shumë edhe argument për debat dhe integritet të një vendimi që është i kundërt me interesat dhe opsionet personale të një kryetari që kërkon ortakë në humbjen e tij. Strategjia e deritanishme e PS po rezulton shterpë dhe nuk ka shumë gjasa të emancipohet e modernizohet pa një shpërthim të brendshëm të saj. Veprimi racional politik i Blushit me pasuesit e tij priten të jenë një shkëndijë për të prishur kohezionin negativ, që sundon këtu përmes frymës autokratike të vendosur nga kryetari, e cila me shumë vështirësi po çahet. Nëse do të ketë një vendim të ri të qëndrimit ndaj Parlamentit, kjo tregon se mund të shpresohet se po triumfon arsyeja dhe pragmatizmi politik. Në këtë çast kur është hapur debati për djegien apo jo të mandatave, futja e tij në shtratin e duhur, pra në atë politik, jep shpresë për një zgjidhje racionale. Nëse vazhdohet me përpjekje për mbrojtje juridike, atëherë jo vetëm bojkoti do të vazhdojë, por do të vazhdojë edhe udhëkryqi ku janë ngujuar të gjithë kryetarët pa mandate deputetësh, që kërkojnë të marrin peng një forcë të tërë.