E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha në Elbasan: Votoni Durim Hushin!

Kryeministri Sali Berisha e cilësoi Durim Hushin, si kryebashkiakun që i duhet Elbasanit: “Me Durim Hushin, kryetarin e ardhshëm, dhe Lulzim Bashën Kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, në pranverë të vitit të 2013 do të bashkojmë Tiranën me Elbasanin”

TIRANË- Kryeministri Sali Berisha u ka kërkuar dje qytetarëve të Elbasanit që të votojnë kandidatin e koalicionit “Aleanca për Qytetarin”, Durim Hushi. Duke e prezantuar Hushin si inxhinierin e talentuar dhe administratorin e shkëlqyer, Berisha shprehu bindjen se me Hushin, si kryetar i Bashkisë së Elbasanit, dhe Lulzim Bashën, si kryebashkiak i Tiranës, në vitin 2013 do të bëhet e mundur bashkimi i qyteteve respektive. “Unë kam bindjen se me Durim Hushin, kryetarin e ardhshëm, dhe Lulzim Bashën Kryetarin e ardhshëm të Bashkisë së Tiranës, në pranverë të vitit të 2013 do të bashkojmë Tiranën me Elbasanin. Në qarkun e Elbasanit, gjatë këtyre 4 viteve, ne kemi ndërtuar 400 km rrugë, nga të cilat 203 km i përkasin rrethit të Elbasanit. Jam këtu për t’u zotuar para jush se 4 vitet që vijnë do të asfaltojmë çdo km rrugë të këtij qyteti e këtij qarku”, - tha Berisha. Kryeministri i është adresuar dje edhe kryetarit të opozitës, Edi Rama. “Kreu i PS-së, i cili ka marrë një zinxhir shpifje, mendon se unë për qytetarin jam punëtor komunalje. Ndjehem i privilegjuar, i bekuar nga Zoti t’ju shërbejë çdo qytetari të këtij vendi. Europa nuk vjen në Shqipëri, ne duhet të ndërtojmë Europën të gjithë bashkë. Me çfarë mëndjelehtësie krijove lobin anti-tunel dhe anti-autostradë. Si ta bëri shpirti, si ta bëri zemra që ju kundërvure. I bëjmë thirrje të gjithë zgjedhësve t’i kërkoni llogari deputetëve tuaj, pse ata votuan kundër tunelit”, - tha dje Berisha. Kryeministri kërkoi edhe njëherë mbështetjen për Hushin. “Përpara se të ishte socialist, përpara se të ishte demokrat, Durim Hushi ishte elbasanas, ishte qytetar. Mbështetjen time totale dhe qeverisë për Durim Hushin, për ta shndërruar Elbasanin në qendër të rëndësishme të Shqipërisë”, - tha Berisha. Ndërsa kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Elbasanit, Durim Hushi, premtoi se do të shkundë Planin Urbanistik të Bashkisë. “Do t’i japim fund masakrës urbane. Do të modernizoj Elbasanin, do të ndërtoj unazën veriore. Taksistët do të kenë licenca 5 vjeçare. Do të rris 2 herë gjelbërimin në qytet. Ne do të ringjallim traditat tona. Unë do të fitoj, që të fitojmë kampionatin”, - tha Hushi, duke premtuar se do të bëjë më shumë për qytetin sesa për familjen e tij.

F.S

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›