E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha-Granoff, projekte për Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha takohet me drejtuesit e Fondit dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan

Bashkia e Tiranës dhe Fondi Shqiptaro-Amerikan do të financojnë projekte për zhvillimin ekonomik dhe punësimin në kryeqytet. Për t’i dhënë udhë këtij bashkëpunimi, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha priti dje drejtorin ekzekutiv të Fondit Shqiptaro-Amerikan dhe Fondacionit të Ndërmarrjeve, Michael Granoff, si dhe anëtarët e bordeve drejtuese, me të cilët ndau vizionin dhe projektet e tij për Tiranën.

Kështu, kryebashkiaku i njohu drejtuesit e fondit me planet e zhvillimit të qytetit, me projektet strategjike, si dhe me prioritetet për përmirësimin e cilësisë së jetës. Kryetari i Bashkisë u ndal në veçanti në projektet e infrastrukturës, si zgjatimi i Bulevardit, ndërtimi i Parkut të ri të Tiranës, tramvaji, ndërtimi i stacionit të ri të trenit etj, si dhe në planet e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit, të cilat janë prioritete të Bashkisë së Tiranës. Ndër të tjera, Basha nënvizoi se si Fondi ashtu edhe Fondacioni mund të financojnë dhe bashkëfinancojnë me Bashkinë e Tiranës, projekte në fushën e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, punësimit, stazheve të punësimit për të rinjtë, zhvillimit të infrastrukturës së brendshme të lagjeve të qytetit, projekteve të mëdha të infrastrukturës së jashtme, zhvillimin social-kulturore etj. “Unë them me kënaqësi se identifikuam një numër projektesh me interes të përbashkët dhe pres që së shpejti, bashkëpunimi ynë të marrë formë konkrete, ku si fondi ashtu edhe fondacioni të financojnë dhe bashkëfinancojnë me Bashkinë e Tiranës, projekte në fushën e rritjes dhe zhvillimit ekonomik, punësimit, stazheve të punësimit për të rinjtë, zhvillimit të infrastrukturës së brendshme të lagjeve të qytetit, projekteve të mëdha të infrastrukturës së jashtme, zhvillimin social-kulturore etj.”, - tha Basha. Nga ana e tyre, drejtuesit e Fondit Shqiptaro-Amerikan e vlerësuan këtë axhendë projektesh të Bashkisë së Tiranës, dhe shprehën gatishmërinë e tyre për të bashkëpunuar në funksion të zhvillimit të qytetit dhe të përmirësimit të cilësisë së jetës. Drejtori ekzekutiv i fondit, Granoff nënvizoi se nga njëra Bashkia e Tiranës ka një axhendë vërtet të fortë për të zhvilluar qytetin dhe nga ana tjetër kemi edhe Fondin e Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan, i cili ka projekte që janë mjaft të ngjashme me këtë lloj vizioni. “Një nga çështjet për të cilat diskutuam gjatë, ishte se si të kalonim nga qëllimet e mira që kemi, tek gjërat konkrete që duhen bërë dhe një nga fushat ku sot vihet theksi më i madh, jo vetëm në Shqipëri por edhe në botë, është zhvillimi i partneritetit publik-privat. Në fakt, diskutuam për synimet, vlerat, orientuam ekipet tona që të punojnë bashkërisht me njëri-tjetrin dhe në mënyrë dinamike, në mënyrë që herën tjetër kur të mblidhemi së bashku, të themi se kemi bërë gjëra konkrete dhe të matshme”, - tha presidenti i Bordit të Fondacionit të Zhvillimit Shqiptaro-Amerikan, Michael Granoff. Në fund të fjalës së tij, ai theksoi se një nga gjërat që njerëzit duhet të kuptojnë është se qeveria e vetme apo biznesi i vetëm nuk mund t’i bëjnë konkrete gjërat, ndaj kërkohet bashkëpunim, në mënyrë që këto para të marra apo këto fonde, të cilat nga njëra anë janë të taksapaguesve, nga ana tjetër të fondit, të jenë vërtet vepra konkrete dhe të matshme në të ardhmen.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›