Tenderat e qeverisë, 522 ankesa për 9 muaj
Shtohen ankesat për prokurimet publike. 522 ankesa për abuzime me tenderat janë depozituar pranë institucionit të Avokatit të Prokurimeve për periudhën janar-tetor 2011. Kreu i këtij institucioni, Altin Qoshja tha se ankesat e operatorëve ekonomikë janë rritur ndjeshëm. Qoshja thekson se për ankesat janë ndërmarrë hetime administrative apo shqyrtim të procedurave të prokurimit publik dhe të koncesioneve, ku 152 prej tyre kanë kaluar në shqyrtim të detajuar dhe 284 për shqyrtim administrativ. Katër nga këto ankesa rezultojnë të jenë nga procedurat koncesionare të zhvilluara nga Ministria e Ekonomisë.
Duke qenë se të gjitha prokurimet publike realizohen vetëm në formatin elektronik, Avokati i Prokurimeve shprehet se, është rritur numri i operatorëve ekonomikë që konkurrojnë me oferta. Por, sipas Qoshes, edhe në këtë sektor janë evidentuar mangësi lidhur me vendosje të kritereve të gabuara në dokumentet e tenderit, për të cilat janë dhënë rekomandimet e nevojshme. Ankesat ndaj tenderave nuk janë ndalur edhe pas një takse që qeveria ka vënë për këtë qëllim. Në fillim të këtij viti, qeveria vuri taksë për ankesat në tendera. Biznesi që merr pjesë në një tender dhe do të ankohet në rrugë zyrtare paguan një tarifë paraprake, prej 0.5 për qind të vlerës së fondit limit të procedurave të ankandit që ankimohet. Sipas VKM-së, çdo ankesë për prokurimet publike tashmë do të shoqërohet me një procedurë të veçantë dhe tarifë gjithashtu. Sipas vendimit, ankesa e paraqitur në rrugë elektronike, pranë Komisionit të Prokurimit Publik nga çdo person që ka ose ka pasur një interes të ligjshëm në një procedurë ankandi, në përputhje me kërkesat e përcaktuara në ligjin “Për ankandin publik”, të ndryshuar, duhet të përmbajë dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse. Gjithashtu, VKM saktëson se, përjashtimisht kur legjislacioni në fuqi parashikon një mjet tjetër komunikimi, ankesa e paraqitur pranë Komisionit shoqërohet me dokumentin bankar, që vërteton pagesën paraprake të tarifës përkatëse, në numrin e llogarisë së KPP-së. “Tarifa për shqyrtimin e ankesës nga KPP-ja është 0.5% e vlerës së fondit limit të procedurave të ankandit që ankimohet”, cilësohet në vendimin e qeverisë. Parapagimi i tarifës nga ankuesi përbën element të domosdoshëm për paraqitjen e ankesës, ndërsa moskryerja e saj përbën shkak për mospranimin e ankesës nga KKP-ja. Por qeveria cilëson se pagesa e tarifës i kthehet ankimuesit kur në fund të procesit të ankimit ankesa e tij pranohet.