E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimi, Banka Botërore apel qeverive: Shpenzoni në mënyrë të zgjuar

SHKRUAN: Jonida Tashi 25-10-2011 12:26

Masat që rekomandon raporti i ri i Bankës Botërore për të zgjidhur problemin e mungesës së aftësive të kërkuara në rajon dhe tre faktorët që rrezikojnë cilësinë e arsimit në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore

Vendet në Evropën Lindore dhe në Azinë Qendrore duhet të reformojnë sistemet e tyre të arsimit dhe trajnimit, në mënyrë që të ofrojnë aftësitë e duhura që kërkohen nga tregjet e punës. Kështu rekomandohet në raportin më të fundit të Bankës Botërore, “Aftësitë, jo vetëm diplomat: Menaxhimi i arsimit për të arritur rezultate në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore”, sipas të cilit, në arsimin e lartë duhet të fitohen aftësi, jo vetëm diploma. Sipas raportit të ri, në të cilin është përfshirë edhe vendi ynë, kur ka punonjës të aftë nxitet novacioni, konkurrueshmëria, produktiviteti i fuqisë punëtore dhe fitimet, të cilat janë të thelbësore për të vënë në lëvizje dhe për të mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike përfshirëse në rajon. Raporti do të publikohet sot në Eschborn, Gjermani, në konferencën e 6-të të Bankës Botërore për Arsimin në Evropë dhe Azinë Qendrore. “Zgjidhja e problemit të mungesës së aftësive të kërkuara në rajon kërkon një ndryshim thelbësor të qasjes, në mënyrë që sistemet e arsimit dhe të trajnimit të rifokusojnë vëmendjen e tyre nga inputi në shkollim tek rezultatet mësimore për pjesën më të madhe të studentëve”, - tha Mamta Murthi, drejtore e Bankës Botërore për Departamentin e Zhvillimit Njerëzor, Evropa dhe Azia Qendrore. Sipas saj, pavarësisht numrit të madh të studentëve që përfundojnë studimet e nivelit të lartë të mesëm dhe të lartë, anketimet në rreth 10 000 firma në rajon tregojnë se një nga pengesat për rritjen e biznesit është mungesa e aftësive. Ndaj ky raport trajton këtë paradoks dhe politikat që mund të ndihmojnë që të plotësohen kërkesat përherë e në zhvillim të tregjeve të punës. Ndërkaq, në raportin e ri të BB-së për arsimin në Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore janë evidentuar tre faktorët që rrezikojnë cilësinë dhe përkatësinë e sistemeve të arsimimit. Së pari, ka shumë pak vëmendje ndaj matjes së aftësive-rezultati përfundimtar i procesit të arsimimit dhe trajnimit. Së dyti, shkollave dhe autoriteteve vendore shpesh u mungon fleksibiliteti dhe liria për t’iu përgjigjur shpejt nevojave përherë në zhvillim dhe konteksti lokal për shkak të menaxhimit të centralizuar që është ende i përhapur në shumë vende. Së treti, vendet janë përpjekur të riorganizojnë rrjetet e tyre shkollore në kushtet kur grupet e studentëve janë duke u tkurrur, gjë që ka rezultuar në shpërndarjen e gabuar të burimeve të pakta, për shembull, në mirëmbajtjen e shkollave pothuajse bosh kundrejt rikthimit të fuqisë tërheqëse për profesionin e mësuesit. “Pa informacionin e duhur mbi aftësitë që përfitojnë studentët dhe që të rriturit i kanë aktualisht, politikat për të trajtuar problemin e mungesës së aftësive të kërkuara veprojnë në errësirë”, - tha Lars Sondergaard, specialist i lartë për arsimin, dhe autori kryesor i raportit. “Vlerësimet më të fundit PISA 2009, mbi nivelin e zotërimit të leximit, shkencës dhe matematikës tek 15-vjeçarët në 19 vende të Evropës Lindore dhe Azisë Qendrore sollën lajme serioze. Një pjesë e madhe e studentëve në gjithë rajonin kanë një zotërim të nivelit të ulët të leximit dhe u mungojnë aftësitë për zgjidhjen e problemit, të cilat nuk përputhen me kërkesat e ekonomisë globale më konkurruese. Na mungojnë të dhënat për aftësitë e popullsisë në moshë pune”, - shprehet Sondergaard. Përkrah faktorëve që rrezikojnë cilësinë e arsimit, raporti i Bankës Botërore rekomandon edhe tri fushat kryesore ku duhet të përqendrohen reformat. Gjetjet dhe rekomandimet e raportit kanë si synim që të kontribuojnë për debate kombëtare mbi reformat në sistemin e arsimit dhe trajnimit, në mënyrë që ato t’u shërbejnë nevojave të strategjive përfshirëse të rritjes së vendeve në të gjithë rajonin.

Tri fushat ku duhet të fokusohen reformat

Raporti “Aftësitë, jo vetëm diplomat” analizon sfidat dhe mundësitë për të përgatitur sistemet e arsimit dhe trajnimit për të trajtuar këtë situatë, duke shfrytëzuar politikat më bashkëkohore dhe përvojën e suksesshme ndërkombëtare. Ky raport rekomandon që përpjekjet për reformim të përqendrohen në tri fusha kryesore:

“Ndizni dritat”- përqendrohuni më shumë në matjen e aftësive që kanë studentët dhe të rriturit. Në mënyrë që të përmirësohet cilësia dhe përkatësia e arsimimit, duhet të plotësohen disa boshllëqe të mëdha njohurish. P.sh. çfarë aftësish - si ato teknike për zgjidhjen e problemeve dhe aftësitë në sjellje - u mungojnë studentëve? Nevojiten anketime të reja për të matur aftësitë e popullsisë së të rinjve dhe të të rriturve dhe për të vlerësuar se çfarë aftësish po kërkojnë firmat. Duke pasur njohuri se cilat janë boshllëqet, mund të zhvillohen politika, p.sh. për të përmirësuar kurrikulat, trajnimet e mësuesve dhe zgjedhjen e karrierës.

•Mundësoni përshtatjen - jepuni më shumë fleksibilitet shkollave dhe autoriteteve lokale. Në mënyrë që të qëndroni në një hap me tregjet e punës që ndryshojnë me shpejtësi, vendimmarrja për mënyrën më të mirë të organizimit të procesit mësimor për të prodhuar aftësitë e duhura duhet të kalojë nga ministritë qendrore të arsimit tek autoritetet lokale dhe tek shkollat. Ato janë shpesh më të familjarizuara me nevojat e studentëve dhe të kontekstit lokal dhe kështu kanë nevojë për më shumë liri dhe fleksibilitet për të menaxhuar buxhetet, për të ndikuar kurset që ofrohen dhe për të përzgjedhur e menaxhuar stafin e tyre.

•Shpenzoni në mënyrë më të zgjuar - trajtoni mungesat e efikasitetit. Politikëbërësit mund të realizojnë kursime në buxhet duke trajtuar mungesat e efikasitetit në sektor, p.sh. rrjete shkollore shumë të mëdha – të rikthejnë fuqinë tërheqëse të profesionit të mësuesit, të zgjerojnë arsimimin dhe trajnimin për fëmijërinë e hershme dhe të rriturit dhe të masin rezultatet mësimore në mënyrë që të informohet sistematikisht zhvillimi i politikave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›