E Shtunë, 31 Tetor 2026

FMN: Të rritet mosha e pensionit dhe kontributet

SHKRUAN: Blerina Hoxha 25-10-2011 11:35

Fondi Monetar Ndërkombëtar i rekomandoi qeverisë shqiptare që të rrisë rrogat dhe pensionet sa inflacioni, pra vetëm 3 për qind, për të shmangur krizën buxhetore nga shpenzimet e larta për këta zëra. Rekomandohet rritja e moshës së daljes në pension dhe masa e kontributeve

Blerina Hoxha

Qeveria shqiptare duhet të gjejë zgjidhje për të shkurtuar shpenzimet e larta për shërbimet sociale, sidomos ato për pensione”, rekomandoi Fondi Monetar Ndërkombëtar në një raport të fundit me rastin e rishikimit të marrëveshjes me Shqipërinë. Në këtë kontekst FMN-ja tha se qeveria duhet të ndalojë rritjen e pagave dhe pensioneve, duke rekomanduar vetëm indeksim të tyre. Nga ana tjetër, reforma në sektorin e pensioneve rekomandohet me urgjencë, duke dhënë edhe dy drejtimet që duhet të fokusohet reforma. Rritja e masës së kontributeve dhe rritja e moshës së daljes në pension janë dy drejtimet që Fondi sugjeron për të shmangur krizën në shpenzimet qeveritare. FMN vëren se, performanca buxhetore e qeverisë është përkeqësuar, duke rritur shpenzimet dhe duke ulur ritmet e grumbullimit e të ardhurave nga taksat. “Duke shikuar nga e ardhmja, qeveria shqiptare në politikat e saj afatmesme duhet të ngushtojë deficitin e lartë në pensione, për të shmangur faturën e lartë”, thuhet në raport. FMN u rekomandon autoriteteve të rilançojnë reformën e pensioneve, mirëpo realizimi i saj në fakt nënkupton edhe një konsensus më të gjerë politik dhe ndërmjet grupeve të interesit. Një shembull sipas Fondit që i rekomandohet qeverisë është rritja e moshës së pensionit, duke i kanalizuar përfitimet për ata që kanë më shumë nevojë. Gjithashtu, Fondi vëren se rishikimi i skemës së kontributeve është një tjetër domosdoshmëri. Një prej masave mund të jetë anulimi i uljes së mëparshme të normës së kontributeve të sigurimeve shoqërore, sidomos duke qenë se nuk ka rezultuar në rritjen e shpresuar të zbatimit të ligjit. Kjo do të ndihmonte në uljen e deficitit të pensioneve, i cili në 1 për qind të PBB-së është në një nivel të lartë, kur shikohet në kontekstin e një popullsie në moshe të re. Deficiti në skemën shqiptare të pensioneve është rritur. Kështu, nga 3.6 për qind të GDP-së që ishin këto shpenzime në vitin 2000, në fund të vitit 2009 kanë arritur në 4.3 për qind. Këto shpenzime janë reflektuar më shumë për pensionet e fshatit, të cilat janë dyfishuar nga 0.4 për qind të GDP në 0.9 të GDP që nga viti 2000. Ndërkohë që shpenzimet për pensionet e qytetit kanë qenë më stabël. Shpenzimet për pensionet e qytetit kanë zbritur nga 3.3 për qind e GDP në 2.9 për qind të GDP. Nga ana tjetër, përqindja e kontributeve ka rënë në 20 për qind aktualisht, nga 29 për qind që ka qenë në 2006-ën, cilëson FMN-ja në raportin e fundit në lidhje me skemën e pensioneve. Në vitin 2009, përqindja e kontributeve është ulur edhe me 15 për qind, duke e argumentuar ketë me faktin e zgjerimit të bazës së tatimpaguesve. Ndërkohë që pagesa e kontributeve në zonat rurale mbetet e përkeqësuar. Si rezultat i kësaj situate qeveria shqiptare ka zgjeruar deficitin e skemës së pensioneve, për shkak se të ardhurat nga kontributet nuk mbulojnë shpenzimet e skemës dhe paratë që duhen për të kompensuar merren nga zëra të tjerë të shpenzimeve. Ndërkohë që ulja e masës së kontributeve ka sjellë një paradoks në skemën shqiptare të pensioneve, në një kohë që vendi ka një popullsi mjaft të re në moshë. Mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri është 30 vjeç ose 10 vite më e ulët se mosha mesatare e vendeve të Bashkimit Europian. Mirëpo në dekadat e ardhshme, rritja e moshës mesatare të popullsisë pritet të rritet në mënyrë dramatike. Kjo rritje do të jetë me më shumë se 5 vite, ndaj dhe nevojat për plotësimin e shpenzimeve për pensione do të rriten, thotë FMN-ja, duke i rekomanduar qeverisë ndërhyrjen në rritjen e masës së kontributeve para se të nisë reforma e pensioneve.

Pensionet rritje 3-5 %, pagat indeksohen

Rrudhen ritmet e rritjes së pagave dhe pensioneve në vitin 2012. Sipas planifikimeve, pagat dhe pensionet në vitin 2012 nuk do të kenë rritje reale, por vetëm do të indeksohen me inflacionin. Në një gjuhë më të thjeshtë do të thotë se, rritja nuk do të jetë më shumë se 3-4 për qind, aq sa do të jetë rritja e përgjithshme e çmimeve (inflacioni) deri në korrik 2012. Lajmin e bënë të ditur burimet në Ministrinë e Financave, të cilat pohuan se fondi shtesë për rritjen e pagave në dispozicion për vitin 2012 do të jetë rreth 1.8 miliardë lekë, i mjaftueshëm për një rritje jo më të lartë se tre për qind. Aktualisht, buxheti i vitit që vjen është në fazën e diskutimeve me ministritë dhe institucionet buxhetore për ndarjen e fondeve. Ndërsa fondi shtesë për rritjen e pensioneve nuk do të jetë më shumë se 1.6 miliardë lekë. Këto fonde për rritjen e pagave dhe pensioneve që pritet të vërë në dispozicion buxheti i vitit që vjen, mjaftojnë vetëm për indeksim me inflacionin, pohuan të njëjtat burime. Kështu, pavarësisht debateve për linjën që do të mbahej në lidhje me mbajtjen në nivelet aktuale të borxhit publik dhe deficitit, pagat dhe pensionet do të rriten. Qeveria, edhe me buxhet nën presion, ka vendosur të rrisë pensionet si të fshatit, ashtu edhe të qytetit e gjithashtu pagat e administratës pavarësisht përqindjeve shumë të ulëta. Burime nga Financat deklaruan se buxheti për vitin që vjen do të vërë në dispozicion të politikave të reja të pagave dhe pensioneve pak më shumë se 3 miliardë lekë.

Sfidat e Shqipërisë, borxhi dhe rritja e ngadaltë ekonomike

Raporti i këtyre ditëve i Fondit Monetar Ndërkombëtar ka vlerësuar se vendi ka përballuar mirë krizën ekonomike, mirëpo mbeten sfidë rritja e borxhit publik dhe ritmet e ngadalta të rritjes ekonomike. Ekonomia shqiptare po përballet me sfida në rritje, veçanërisht për sa i përket borxhit publik të lartë dhe rritjes së ngadaltë të prodhimit”, - tha Fondi Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit të vlerësimit të marrëveshjes me Shqipërinë. Fondi ka deklaruar se vendi e ka përballuar mirë krizën ekonomike, pasi politikat e zbatuara përgjatë viteve të para-krizës dhanë hapësirë për të zbutur ndikimet e saj. Mjedisi post–krizë ka nxjerrë në pah sfida të tjera të politikave monetare. Rritja e Prodhimit të Brendshëm Bruto për vitin 2011 është parashikuar të jetë rreth 2.5%, në rënie nga 3% në vitin 2009 dhe 2010. Ndërkaq, qeveria shqiptare është më optimiste në parashikimet e saj, duke arritur në shifrat 4-5 % të rritjes së ekonomisë. Në raportin e FMN-së theksohet se buxheti i shtetit nuk ka qenë performant disa herë dhe janë kryer shkurtime në rishikimet në mesin e vitit në 2010-ën dhe 2011. Ndërkaq, borxhi publik po i afrohet kufirit statutor prej 60% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pavarësisht përmirësimeve, çekuilibrat e jashtëm mbeten të lartë dhe kërkesa e jashtme nuk mund të kompensojë rënien e kërkesës së brendshme. Konsolidimi fiskal është prioritet afatmesëm dhe afatgjatë dhe kërkon masa të besueshme dhe përpjekje të qëndrueshme. Ekonomia shqiptare po përballet me sfida në rritje, veçanërisht për sa i përket borxhit publik të lartë dhe rritjes së ngadaltë të prodhimit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›