Italia kthen borxhin 20 mln euro për investime
Një pjesë e borxhit publik që Shqipëria i ka Italisë tashmë do të përdoret për investime në disa sektorë prioritarë. Nëpërmjet konvertimit të një pjese të këtij borxhi, financimet do të jenë për zhvillimin social, në veçanti për sektorët e shëndetësisë, arsimit dhe politikat e punësimit. Marrëveshja e nënshkruar dy muaj më parë u miratua sot nga komisioni parlamentar i Ekonomisë. Sipas marrëveshjes, shërbimi i borxhit që përfshin principal+ interes, deri në shumën 20 milionë euro, për disa kredi të akorduara nga qeveria italiane, nuk do t’i paguhen kësaj të fundit, por do të depozitohen në një llogari të veçantë. Deputeti i PS-së, Arben Malaj u shpreh se projektet që do të përfitojnë nga këto fonde të përfshihen në strategjitë sektoriale. Afati i përdorimit të fondit për realizimin e projekteve të përzgjedhura është deri në dy vjet, që nga momenti i depozitimit të këstit të fundit. Fondet e krijuara nga depozitimi i kësteve të shërbimit të borxhit për kreditë ekzistuese, dhe të përdorura për projektet përkatëse, do të konsiderohen si shuma borxhi të shlyera kundrejt qeverisë së Italisë. Fondet e papërdorura deri në afatin e vendosur prej dy vjetësh do t’i kthehen qeverisë italiane.