E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, Imami, Balliu në festën e PD-së së Elbasanit

26/01/2009  Partia Demokratike e Elbasanit ka festuar 18-vjetorin e themelimit të saj dhe në festë janë shfaqur emra që aspirojnë të kenë emrin në listën e kësaj partie për deputetë në qarkun e Elbasanit. Kështu Lulzim Basha, Fahri Balliu, Arben Imami por edhe Aurel Bylykbashi, Shefqet Deliallisi, Ardian Turku e Mimoza Hasekiu janë edhe disa nga emrat e mundshëm si kandidatë për deputetë. Festa është përqendruar tek themeluesit dhe tek ata që kanë kontribuar. Në fjalën e tij ministri i Jashtëm Basha tha se në ditën e ngritjes së PD–së në qytetin e Elbasanit, kujtohet përkushtimi dhe nderohen sakrificat e 100 – ndra elbasanllinjve, që së bashku me të gjithë Shqipërinë u ngritën për të vrarë frikën dhe për ti dhënë jetë shpresës.

“Sot ne përkujtojmë misionin e parë të PDSH – së atë të përmbysjes së diktaturës më të egër komuniste në Evropë. Sot përkujtojmë historinë e vështirë të viteve të para të PD, atë të përmbysjes së varfërisë, që ajo diktaturë e kishte ulur këmbëkryq në çdo familje shqiptare.

Ne sot kujtojmë peshën e misionit të një force politike, mbi supet e të cilës shpesh rëndoi vetë fati i demokracisë shqiptare, vetë kuptimi i pluralizmit politik apo parlamentar”, tha Basha. Duke vijuar më tej fjalimin e tij, mes qindra anëtarësh të kësaj partie të madhe opozitare, Ministri Basha deklaroi se “sot për sot ne shikojmë përpara, drejt një misioni kombëtar që PD dhe qeverisja e saj prej tre vitesh po e kthen në realitet. Brenda këtyre tre viteve Shqipëria nënshkroi Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit dhe e ratifikoi atë me të gjithë vendet e Bashkimit Evropian. Ne presim brenda dy muajsh të përfundojë një nga aspiratat e kombit shqiptar anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO. Vendi po përparon çdo ditë me ritme të dukshme dhe kjo falë qeverisjes me duar të pastra dhe përkushtim të PD – së”. Duke qenë se PD në Elbasan është në prag të zgjedhjeve për kreun e ri të kësaj partie ministri Basha deklaroi se “duke qenë se jemi në prag të zgjedhjeve të PD në Elbasan, kjo na kujton edhe një herë thelbin e angazhimit tonë politik, ky thelb është shërbimi dhe jo privilegji, është sakrifica dhe jo përfitimi. Të bashkuar nga misioni i lartë dhe i marrë përsipër me formimin e Partisë Demokratike që vazhdon sot e më tej ne duhet të përfundojmë me sukses zgjedhjet në qarkun e Elbasanit, të përfundojmë me sukses për të realizuara objektivat tona dhe së bashku të dalim faqebardhë para qytetarëve të këtij qarku, para qytetarëve të gjithë Shqipërisë për të kërkuar që misioni historik të vazhdojë edhe për katër vite të tjera”, përfundoi fjalën e tij Basha. Vlerësim morën edhe 27 demokratë të vjetër dhe nismëtarë të krijimit të PD në Elbasan.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›