E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha, Jansen: Danimarka, ratifikim Shqipërisë në NATO

Danimarka dha mbështetjen e saj për një proces të shpejtë të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Këtë ia bëri dje të ditur ministrit të Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, ambasadori i ri i Mbretërisë së Danimarkës, në Shqipëri, z. Karsten Ankjaer Jansen. Ministri Basha, pasi i uroi mirëseardhjen ambasadorit z. Karsten Ankjaer Jansen, vlerësoi nivelin shumë të mirë të marrëdhënieve midis dy vendeve tona dhe shprehu besimin në intensifikimin e mëtejshëm të tyre. Ministri Basha e njohu ambasadorin Karsten Ankjaer Jansen me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare, me qëllim zhvillimin e vendit dhe përshpejtimin e proceseve integruese drejt NATO-s dhe BE-së dhe nënvizoi kontributin e çmuar që Danimarka ka dhënë dhe vazhdon të japë në mbështetje të integrimit të Shqipërisë në strukturat evropiane e euroatlantike. Ambasadori Karsten Ankjaer Jansen e siguroi ministrin z. Basha për vazhdimësinë dhe intensifikimin e marrëdhënieve midis dy vendeve gjatë ushtrimit të detyrës së tij diplomatike. Gjithashtu, ai vlerësoi ecurinë e reformave, rolin tepër konstruktiv të Shqipërisë në rajon, si dhe rikonfirmoi mbështetjen e Danimarkës për një proces të shpejtë të ratifikimit të protokollit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO.

Basha i uron mirëseardhjen drejtoreshës së re të USAID-it

Ministri i Punëve të Jashtme, z. Lulzim Basha, priti drejtoren e re të USAID-it në Tiranë, znj. Roberta Mahoney, me rastin e marrjes së detyrës. Në këtë takim, znj. Mahoney shoqërohej nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, z. John Withers II. Ministri Basha, pasi i uroi mirëseardhjen znj. Mahoney, vlerësoi ecurinë pozitive të projekteve të USAID-it në Tiranë, duke nënvizuar rolin e tyre promovues në drejtim të realizimit të reformave dhe fuqizimit të institucioneve në Shqipëri. Ministri Basha njohu drejtoren e USAID-it me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare për zhvillimin e vendit dhe përshpejtimin e proceseve integruese drejt NATO-s dhe BE-së. Ministri theksoi rezultatet e arritura gjatë fazës së parë të Sfidës së Mijëvjeçarit dhe vlerësoi vazhdimin e projektit në një fazë të dytë, me një shumë prej 16.4 milionë dollarë. Drejtorja e USAID-it falënderoi për pritjen e ngrohtë dhe siguroi ministrin Basha për vazhdimësinë dhe intensifikimin e angazhimeve të USAID-it në Shqipëri. Znj. Mahoney vlerësoi zhvillimin e reformave dhe rezultatet e arritura, duke shprehur bindjen se këto reforma do të përshpejtojnë integrimin euro-atlantik të Shqipërisë.

Bregu informon KE-në për programin IPA 2009

Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, informon KE-në për programin e qeverisë, IPA 2009. Bregu mori pjesë dje në tryezën e përbashkët midis përfaqësuesve të lartë të institucioneve shqiptare dhe misionit të Komisionit Evropian për programimin e IPA 2009, tryezë kjo që u zhvillua në ambientet e ministrisë. Nga ana e KE-së, delegacioni kryesohej nga z. Dirk Lange, shef i njësisë për Shqipërinë në drejtorinë e Zgjerimit të KE-së, i cili vlerësoi punën paraprake të bërë nga Ministria e Integrimit dhe qeveria shqiptare për programimin IPA 2009. Duke nënvizuar disa nga elementet pozitive të programimit, z. Lange tha se ky cikël programimi mbetet më i miri deri tani. Kjo, sepse prioritetet e mbuluara nga projektet potenciale janë në përputhshmëri të plotë me prioritetet e vendosura nga BE për Shqipërinë. Këto projekt – propozime i janë prezantuar delegacionit paraprakisht dhe informacioni i plotë mbi programimin është pasqyruar në sitin e internetit të Ministrisë së Integrimit. Më i rëndësishëm është fakti që ekziston një mirëkuptim i përgjithshëm mes BE-së dhe Shqipërisë për fushat që do të financohen. Gjatë fjalës së tij, z. Lange theksoi se Ministria e Integrimit dhe institucionet shqiptare duhet të vazhdojnë më tej punën e tyre të vlerësueshme në këtë drejtim. Sipas tij, duhet të punohet për përgatitjen e strukturave administrative që do të merren me programimin dhe menaxhimin e fondeve të IPA-s, kur Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat, nëpërmjet të cilit përfiton nga të pestë komponentët e IPA-s. Fushat e përcaktuara si prioritare në programimin e IPA 2009 janë: në kriterin politik, mbështetje për strukturat e policisë, sistemin e drejtësisë, qendrat e paraburgimit, censusin e popullsisë dhe zhvillimin e shoqërisë civile. Në kriterin ekonomik: mbështetje për tregun e punës, trashëgiminë kulturore, sigurimet shoqërore dhe programet e sistemit arsimor. Në pjesën e standardeve ku është parashikuar të shkojë edhe pjesa më e madhe e fondeve është parashikuar mbështetje për infrastrukturën rrugore (rrjeti i rrugëve rurale dhe dytësore) dhe ujit te pijshëm, transporti etj.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›