Këshillit i Etikës: Po glorifikohet regjimi komunist
Këshilli i Etikës pranë KKRT-së ka parë me shqetësim mënyrën se si disa media po e trajtojnë historinë e komunizmit dhe figura të atij regjimi, duke shkelur etikën mediatike për qindra mijëra njerëz që kanë vuajtur në atë regjim. Në një njoftim për shtyp, ky këshill që përbëhet nga 3 gazetarë të cilët edhe kanë vuajtur pasojat e atij regjimi mbi kurrizin e tyre, Fatos Lubonja, Remzi Lani dhe Bashkim Hoxha, i bëjnë thirrje medias që të shohë me kujdes këtë pjesë të historisë e të mos ndikojë negativisht në edukimin e brezit të ri. “Këshilli i Etikës pranë KKRT-së ka ndjekur me vëmendje shqetësimin e ngritur nga mjaft qytetarë, intelektualë e përfaqësues të shoqërisë civile, lidhur me paraqitjen në programe të ndryshme radiotelevizive të përgatitjeve për përkujtimin e 100-vjetorit të lindjes së diktatorit Enver Hoxha. Në disa televizione me audiencë të konsiderueshme, vihet re një tendencë e intervistimit të familjarëve të diktatorit, emisione dhe lajme për këtë çështje, transmetim materialesh filmike të realizuara në kohën e diktaturës, ku propagandohet ideologjia komuniste e glorifikohet diktatura e proletariatit”, - thuhet në njoftimin e djeshëm. Nisur nga ky fakt, Këshilli i Etikës bën të ditur se “konstaton se rikthimi në ekrane, në mënyrë ciklike, i figurës së Enver Hoxhës, trajtuar me prirje nostalgjike, përveç se shtrembëron të vërteta historike, lëndon dhe cenon ndjenjat dhe dinjitetin e një shtrese të madhe njerëzish të persekutuar, viktima të diktaturës e të diktatorit”. Sipas këtij këshilli, programe të tilla, pa shpjegimin e vendosjen në kohë të mesazheve tejet propagandistike e politike që mbartin, dëmtojnë të gjithë teleshikuesit, veçanërisht formimin dhe edukimin e fëmijëve dhe moshave të reja. Në këtë mënyrë, Këshilli i Etikës i sugjeron Këshillit Kombëtar të Radios dhe Televizionit që, pa cenuar pavarësinë e paanësinë editoriale të çdo operatori radioteleviziv, mbështetur në Kodin e Etikës dhe në detyrimin për respektimin e normave etike dhe morale, t’u kujtojë operatorëve përgjegjësinë dhe zbatimin e këtij kodi, duke vlerësuar maksimalisht shqetësimin tonë dhe të opinionit publik për trajtimin e veprimtarisë e figurave të regjimit komunist në programet e medias elektronike.