E Shtunë, 31 Tetor 2026

Di Paolo: Shqipëria po përmbush detyrimet e mëdha

SHBA-ja vlerëson progresin e bërë nga Shqipëria në procesin e reformave integruese për në NATO, pasi sipas saj, ajo po përmbush detyrimet e mëdha. Këtë vuri në dukje kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Giampaolo di Paolo, drejtuesve të shtetit shqiptar, Bamir Topi, Kryeministrit Sali Berisha dhe dy ministrave, atij të Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe ministrit të Mbrojtjes, Gazmend Oketa. Sipas ushtarakut amerikan, reformat po ecin në rrugë të mbarë teksa evidentoi se në prill të vitit që vjen Shqipëria do të jetë anëtare me të drejta të plota në strukturën e Atlantikut të Veriut. Gjatë takimit me Kryeministrin Berisha, kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admirali Di Paolo tha gjithashtu se Shqipëria tashmë po mbështet NATO-n në shumë operacione, jo vetëm në Afganistan, por edhe disa misione të BE-së dhe me anëtarësimin e Shqipërisë kontributi do të jetë edhe më i madh. Berisha tha nga ana e tij se anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është arritja më e madhe historike e Shqipërisë dhe shqiptarëve, pasi ata bashkohen me këtë Aleancë si një vend i lirë dhe i pavarur, në të cilën do të jenë të sigurt në ndërtimin e të ardhmes së tyre. Berisha siguroi Admiralin Di Paolo se reformat do të jenë ‘perpetum mobile’ dhe se ato do të interesojnë të gjitha fushat, nga reformat politike, e deri tek ato të tregut dhe deri tek Forcat e Armatosura. Edhe Presidenti Bamir Topi në bashkëbisedimin me Admiralin Xhampaolo di Paolo, nënvizoi se anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut të Veriut mbetet një nga prioritetet e politikës sonë të jashtme dhe se anëtarësimi me të drejta të plota në NATO është fillimi i një faze të re për Shqipërinë, i asaj të kalimit në një marrëdhënie partneriteti me vendet e tjera anëtare në Aleancë. Kurse në takimin me ministrin Basha, ushtaraku amerikan vlerësoi në mënyrë të veçantë reformat në Forcat e Armatosura dhe kontributin e tyre në kuadër të misioneve paqeruajtëse në të cilat janë përfshirë këto forca. Ndërsa ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, duke iu referuar së ardhmes, theksoi se “jemi të vendosur për të ecur përpara për të finalizuar përpjekjet tona me anëtarësimin e plotë në samitin e ardhshëm të Aleancës. Ministria e Mbrojtjes dhe qeveria shqiptare janë të vendosur për të vazhduar reformat, pasi ato janë prioriteti ynë thelbësor”, - ka nënvizuar z. Oketa. Ministri i Mbrojtjes është ndalur edhe në përparësinë që ka shkatërrimi i municioneve të tepërta në vendin tonë dhe e informoi admiralin Di Paolo për punën e bërë në këtë drejtim. Për sa i përket projektit të shkatërrimit të municioneve, z. Oketa vlerësoi sidomos rolin dhe ndihmën e dhënë nga NATO-ja dhe vendet aleate. “Për të qenë anëtarë të NATO-s, nuk është e lehtë, pasi nuk është vetëm çështje nderi, por edhe detyrimesh të mëdha: pjesëmarrje në misione paqeruajtëse, përmbushje e reformave, bashkëpunim me aleatët etj. “Është e rëndësishme për ju si Ministër, - ka theksuar ai, - që të tregoni forcën në realizimin e ideve tuaja”, - tha Admirali Di Paolo, i cili tregoi interesim të veçantë për detajet e projektit të shkatërrimit të municioneve të tepërta.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›