E Shtunë, 31 Tetor 2026

PS starton fushatën nga maja e Dajtit

PS starton përgatitjet për fushatën elektorale. Vendimi është marrë dje nga kryesia e kësaj partie. Kryesia mori në shqyrtim draftin e paraqitur nga drejtuesit e shtabit elektoral, që lidhet me organizimin e strukturave nga qendra deri në bazë. Zëdhënësja e kryesisë së PS-së, Mimi Kodheli, tha se një prej çështjeve kryesore të diskutuara në mbledhjen e djeshme ka qenë mënyra e funksionit të strukturave të PS-së në nivel qendror dhe vendor, për të kaluar me sukses sfidën që lidhet me zgjedhjet e ardhshme në vend. Sipas Kodhelit, rëndësi i është kushtuar programit të PS-së, që sipas drejtuesve të kësaj partie, është duke përfunduar, megjithëse ajo nuk zbardhi asgjë konkrete lidhur me atë çfarë përmban programi. “Kryesia e PS-së e vlerëson këtë program si një risi në politikën shqiptare, ku për herë të parë një forcë politike në opozitë punon së bashku me qytetarët për t'u ofruar një zgjidhje konkrete problemeve dhe shqetësimeve të përditshme”, - tha Kodheli. Lidhur me organizimin, tashmë një pjesë e tij është zbardhur edhe për mediat. Në organizimin e përgjithshëm është shtabi elektoral ai që do të drejtojë gjithçka, dhe në varësi direkte të tij janë 12 kujdestarët e qarqeve. Këta të fundit kanë në varësi deputetët, krerët e rretheve anëtarët, krerët e OS-së. Që të gjithë kanë për detyrë afrimin e sa më shumë njerëzve, e kryesisht ata me arsimim që më vonë të bëhen një potencial për partinë. “Kryesia e PSSH-së i vlerësoi pozitivisht dhe iu dha mbështetjen maksimale për propozimet e parashtruara gjatë mbledhjes së sotme në lidhje me organizmin elektoral të muajve të ardhshëm”, - deklaroi Kodheli. Njëkohësisht, Kodheli bëri të ditur se edhe reforma zgjedhore ka qenë pjesë e axhendës së kryesisë. Ajo tha se i jep rëndësi maksimale krijimit të të gjitha kushteve të nevojshme për të pasur një proces normal, demokratik dhe zgjedhor. “Kryesia e PS-së i ofroi mbështetje të plotë grupit parlamentar dhe përfaqësuesve të PS në Kuvend, për të përfunduar me sukses reformën zgjedhore, të cilën PS e konsideron prioritetin e axhendës së saj parlamentare”, - tha Kodheli. Mbledhja e kryesisë së radhës është zhvilluar sërish larg selisë qendrore të partisë dhe sipas PS-së, kjo bëhet për të çuar vendimmarrjen e kësaj partie në bazë. Megjithëse, kjo i ndihmon edhe më shumë drejtuesit që të mbajnë zhvillimet e mbledhjes jashtë vëmendjes së medias.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›