E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha refuzon Marton, Duro, ministri i ri i PBDNJ-së

Kryeministri Sali Berisha refuzon Andrea Marton, të propozuar fillimisht nga Vangjel Dule dhe vendos për Anastas Duron në krye të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Anastas Duro është ministri më i ri i kabinetit “Berisha” dhe zëvendëson Kosta Barkën në postin e ministrit të Punëve dhe Çështjeve Sociale, pas dekretit të djeshëm të Presidentit Bamir Topi. Z. Duro ka qenë ish-zëvendësministër Drejtësie në kohën e qeverisjes së majtë, aktualisht anëtar i kryesisë së Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut. Kreu i kësaj partie i propozoi para pak ditësh Kryeministrit Sali Berisha emrin e Andrea Martos për zëvendësimin e Kosta Barkës në krye të Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale. Por z. Berisha kërkoi edhe një kandidaturë të dytë nga PBDNJ-ja, me qëllim përzgjedhjen e më të mirit. Pas kërkesës së Berishës, kryetari i PBDNJ-së, Vangjel Dule, i dha dhe një tjetër alternativë Kryeministrit, duke i paraqitur emrin e z. Anastas Duro. Mes dy kandidaturave, Berisha zgjodhi emrin e këtij të fundit, duke ia besuar postin e mbajtur deri tani nga z. Kosta Barka. Pas zgjedhjes, Kryeministri, në mbështetje të pikës 1, të nenit 98 të Kushtetutës, i propozoi dje, Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi, shkarkimin e z. Koço Barka nga detyra e ministrit të Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe emërimin e zotit Anastas Dhimitër Duro në detyrën e ministrit të Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Menjëherë pas dërgimit, po dje kryetari i shtetit, Bamir Topi, nuk ka humbur kohë, por ka firmosur dekretin me numër 5904. Ky dekret hyn në fuqi që prej ditës së djeshme, 10 ditë pasi Partia e Bashkimit Demokratik për të Drejtat e Njeriut dorëzoi në Kryeministri kërkesën për shkarkimin e Kosta Barkës nga posti i ministrit të Punës. Në njoftimin zyrtar të departamentit të informacionit pranë Presidencës shkruhet se dekretimi i Anastas Duros, si ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta është bërë në mbështetje të neneve 93 dhe 98, pika 1 të Kushtetutës. Fillimisht Dule pati deklaruar se kreu i qeverisë kishte pranuar të emëronte Andrea Marton. Ky i fundit, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punës (i shkarkuar nga Barka) u bë dhe shkak i konfliktit të lindur brenda PBDNJ-së dhe që nxiti më pas partinë të kërkojë shkarkimin e Kosta Barkës. Çdo gjë u zyrtarizua më 22 shtator të këtij viti, kur kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule, takoi Kryeministrin Berisha dhe i paraqiti propozimin për shkarkimin e Kosta Barkës, duke i propozuar një tjetër emër. Anastas Duro, anëtar i kryesisë së PBDNJ-së, është me profesion jurist dhe gjatë viteve 2003-2005 punoi si zv.ministër i Drejtësisë.

Bogdani: PD hap dyert për anëtarësimin e të rinjve

Partia në pushtet synon shtimin e radhëve të saj me emra të rinj në prag të zgjedhjeve të brendshme. Sipas zëdhënësit të PD-së, Gerti Bogdani, një theks i veçantë do t’iu vihet në këtë fillim fushate anëtarësimeve të reja, të cilat edhe kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, i ka cilësuar si shumë pozitive. “Është një kohë shumë pozitive e kësaj qeverisjeje, – theksoi Bogdani, - pra arritjet e kësaj qeverie e bëjnë më atraktive PD-në dhe është e padiskutueshme, që PD-ja ka hapur dyert e para për të rinjtë dhe procesi i zgjedhjeve brenda partisë nuk do ta ndalojë këtë ecuri”, - deklaroi z. Bogdani. Pas mbledhjes së kryesisë së PD-së, në lidhje me ristrukturimin e partisë dhe objektivat e reja që dalin edhe me ndryshimet e ligjit të ri elektoral, Bogdani pohoi dje se “në kuadrin e zgjedhjeve të ardhshme do të ndodhë edhe ristrukturimi i PD-së, funksionimi i ardhshëm, ndryshe nga ai i deritanishëm”. Sipas tij, do të jenë katër nivele, do të kemi seksione që do të jenë për çdo qendër votimi, më pas grup-seksione që do të jenë për çdo njësi të qeverisjes, komunë, bashki, rajon, ose njësi bashkiake në rastin e Tiranës dhe seksionet do të përbëhen në degë, të cilat do të bëjnë edhe punën e partisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›