E Diel, 1 Nëntor 2026

Basha: KQZ të shqyrtojë çdo votë të kontestuar

TIRANË- Kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që të shqyrtojë çdo votë të kontestuar, pa përjashtim, pavarësisht se cilin kandidat favorizon. “Dua ta nis duke falënderuar edhe njëherë çdo komisioner, numërues dhe vëzhgues, të cilët ndihmuan përgjatë gjithë këtij procesi dhe shumë prej të cilëve vazhdojnë punën, duke përfshirë finalizimin e tabelave dhe konfirmimin e saktësisë së rezultateve në garën për kryebashkiak. E di se ka një dëshirë për një rezultat përfundimtar, por kjo nuk mund të cenojë parimin, që numërimi i çdo vote të jetë i saktë dhe të reflektojë vlerat e demokracisë”, tha dje Basha. Kandidati i mazhorancës theksoi se të gjitha votat duhet të numërohen saktësisht, me ndershmëri, dhe në mënyrë të barabartë, dhe se zëri i çdo qytetari duhet të dëgjohet në të njëjtën mënyrë. “Aq më shumë që kjo garë është kaq e ngushtë, të gjithë kandidatët dhe partitë duhet të respektojnë zërin e çdo qytetari. Në fund të këtij procesi, gjëja më e rëndësishme nuk është kush fiton dhe kush humbet, por që demokracia të funksionojë dhe që qytetarët të kenë bindje dhe besim, se rezultatet reflektojnë saktësisht votat e tyre”, - tha Basha. Ai kërkoi që çdo votë legjitime të numërohet me të njëjtin standard, dhe legjitimiteti i çdo vote të kontestuar duhet të përcaktohet nëpërmjet procesit normal ligjor. “Për këtë arsye, unë do t’i kërkoj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të shqyrtojë çdo votë të kontestuar, pa përjashtim, pavarësisht se cilin kandidat favorizon. Sepse çdo vote duhet t’i jepet mundësia të numërohet dhe zërit të çdo qytetari duhet t’i jepet mundësia të dëgjohet. Gjatë këtij procesi, unë mund të fitoj ose humbas vota, por pa dyshim Tirana do të ketë fituar”, - tha Basha. Kandidati i mazhorancës citoi se, “gjatë numërimit të votave për këshillat bashkiakë, apo kandidatin për njësinë bashkiake, disa qytetarë kanë hedhur votën e tyre 100% të vlefshme, ose për mua, ose për zotin Rama, por e kanë hedhur atë aksidentalisht në kutitë e këshillave apo kandidatit për minibashkinë. Qëllimi i këtyre qytetarëve për të votuar, për mua ose për z. Rama, është krejt i qartë. Dhe nuk ka asnjë dyshim që këta qytetarë, që ushtruan të drejtën e tyre të votës, meritojnë plotësisht që vota e tyre të konsiderohet dhe zëri i tyre të dëgjohet”. Basha tha se, aktualisht nuk dihet numri total i votuesve, që kanë votuar në këtë mënyrë, dhe as cilin nga kandidatët favorizon vota e tyre, sepse ka ende shumë kuti të pahapura dhe të panumëruara. “Por në respekt të vullnetit të qytetarëve, unë do të kërkoj që këto vota të konsiderohen. Asnjë qytetari, që ushtroi të drejtën e tij për të votuar, nuk i duhet mohuar vota e tij”, - tha Basha

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›