E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD merr këshillin dhe 7 minibashki në Tiranë

Partia Demokratike pritet të marrë kontrollin e shtatë prej 11 minibashkive të Tiranës. Ndonëse ende nuk ka përfunduar procesi i numërimit në të gjitha njësitë vendore të kryeqytetit, duket se mazhoranca ka shtrirë ndikimin e saj dukshëm në Tiranë. Konkretisht është deklaruar i përfunduar numërimi në minibashkinë nr. 1, ku kandidatja socialiste Lindita Nikolla ka marrë 9985 vota, ndërsa rivali i saj që kandidonte për mazhorancën ka marrë 8775 vota. Diferenca në favor të kandidates socialiste në këtë njësi vendore arrinte në plus 1210 vota. Numërimi ka përfunduar edhe në minibashkinë nr.2, ku kandidati i koalicionit “Aleanca për Qytetarin” Elez Gjoza ka arritur të grumbullojë 16340 vota, ndërsa konkurrenti i koalicionit “Aleanca për të Ardhmen”, Artemon Cukalla, ka marrë 15177 vota. Diferenca mes të dyve është plus 1163 vota për kandidatin e mazhorancës, Elez Gjoza. Në minibashkinë nr.3, ende nuk ka përfunduar plotësisht numërimi i votave por duket se kandidati i mazhorancës, Ilir Kokona, po shkon drejt rikonfirmimit në detyrën e kreut të njësisë bashkiake. Kokona ka marrë deri më tani 6861 vota, ndërsa kandidati i Partisë Socialiste, Enver Sulollari, ka marrë 6369 vota. Diferenca mes të dyve është plus 492 vota, në favor të kandidatit të mazhorancës. Në minibashkinë nr.4 vazhdon ende numërimi dhe mbeten edhe 10 kuti të tjera për të kaluar në këtë proces. Sipas të dhënave të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, kandidati i mazhorancës Hysen Xhura ka marrë 11508 vota ndërsa kandidati i opozitës, Vahid Kalaja, ka marrë 9715 vota. Diferenca aktuale, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka arritur në plus 1793 vota për kandidatin Xhura. Në minibashkinë nr.6 ka rezultuar fitues kandidati i opozitës Krenar Canollari. Ai ka marrë 11419 vota, ndërsa kandidati i koalicionit të mazhorancës Luzhiana Abazaj ka marrë vetëm 11061 vota. Diferenca flet për plus 358 vota, në favor të kandidatit të Partisë Socialiste. Në minibashkinë numër shtatë ka arritur të dalë me sukses nga gara kandidati socialist, Erion Koka, i cili sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ka grumbulluar 13607 vota, ndërsa rivali i tij në këtë garë kandidati Krenar Alimehmeti mori 13306 vota. Diferenca flet për plus 401 vota në favor të kandidatit të Partisë Socialiste, Koka. Demokratët e kanë pasur shumë të thjeshtë të rikonfirmojnë kandidatin e tyre për njësinë nr.8 në Tiranë. Arben Tafaj, sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka marrë 4394 vota ndërsa Sadi Vorpsi i socialistëve ka marrë 2902 vota. Diferenca thotë se ekziston një avantazh i Tafajt me 1492 vota. Në njësinë numër 9, ende nuk është mbyllur numërimi pasi janë numëruar rreth 40% e kutive por kandidati socialist është aktualisht në një disavantazh me 272 vota ndaj rivalit të tij, Indrit Fortuzi. Kandidati i mazhorancës në minibashkinë numër 10 është rikonfirmuar, pasi ka fituar përballë kandidates së socialistëve Enada Alikaj. Blend Fuga ka marrë 6748 vota, ndërsa kandidatja Alikaj ka marrë 5060 vota. Diferenca është 1688 vota në favor të kandidatit të mazhorancës. Në minibashkinë nr.11 rezulton fitues kandidati i mazhorancës, Haki Mustafa, përballë rivalit në këtë garë Naim Asllani.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›