Humbja e bastioneve, Berisha: Analiza do fillojë nga kryetari
TIRANË- Kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar furtunë në strukturat e PD-së, pas humbjes së dukshme të disa prej bastioneve demokratike. I pyetur pikërisht për këtë çështje, duke marrë si referencë dy bastione, Kavajën dhe Laçin, Berisha ka deklaruar se analiza do të jetë e thellë, duke filluar nga kryetari i partisë. ”... Në disa qendra fituan kandidatët e Partisë Socialiste dhe do të menaxhohen nga ata. Sado jo e këndshme qoftë, kjo nuk do të më pengojë mua të kem një bashkëpunim shumë të mirë, me të gjithë të zgjedhurit e këtij vendi. Pa diskutim që do të ketë analiza, por analiza të ndershme, analiza, të cilat njerëzit e qytetëruar janë njerëzit e përgjegjësisë, duke nisur nga kryetari i partisë së tyre dhe të gjithë me radhë. Do të analizohen të gjitha shkaqet dhe do të përdoret kjo analizë në funksion të një fitoreje spektakolare në shërbim të vitit 2013. Nuk ka kurrë fitore të përjetshme e as humbje të përjetshme, ndaj edhe beteja jonë është që këto 72 mijë vota, të mund t’i çojmë deri në 100.000 të paktën”, - tha Berisha. Duke mos preferuar të ndalet konkretisht te humbja e bastioneve, Kryeministri u përqendrua gjatë në atë që ai e cilësoi si fitore të koalicionit, që ai drejton. “Erdha këtu përpara jush, për tu shprehur një mirënjohje të thellë qytetarëve të këtij vendi, të cilët në një mazhorancë plebishitare, krahasuar me aleancën tjetër, i dhanë deri në numërimin e sotëm, rreth 72 mijë vota më shumë koalicionit për qytetarin. Pra atij që më ofroi referendumin, fiks 8 deputetë më shumë në krahun tim. Zgjedhjet kanë qenë lokale dhe unë ndjej keqardhje për disa bashki dhe komuna, të cilat nuk janë më të qeverisura nga kandidatët e koalicionit që unë drejtoj, por nga ana tjetër flamuri është vetëm politik”, - tha Berisha. Avantazhi me 72 mijë vota si koalicion, tregon për Kryeministrin një triumf për platformën e bazuar në vlerat e qytetarit. “Por unë nuk jam këtu për analizën përfundimtare, këtë gjë do ta bëj para jush, kur të përfundojë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe të dalin rezultatet. Ju garantoj se do të jetë realiste dhe transparente, dinjitoze, e përgjegjshme dhe do bëhen përpjekjet më të mëdha për të lexuar çdo votë të qytetarëve shqiptarë”, - tha ai.