Basha: Kartat e identitetit, emigrantët do të pajisen në shtetet ku punojnë
Emigrantët shqiptarë do të pajisen me kartat e identitetit në vendet ku punojnë pa pasur nevojë të vijnë në Shqipëri. Pajisja e shtetasve shqiptarë me pasaporta biometrike pritet që brenda 3-mujorit të parë të vitit të ardhshëm të tejkalojë edhe Maqedoninë për shpërndarje, si dhe pritet të bëhet një prokurim për dixhitalizim të mjeteve të identifikimit në pikat kufitare. Këto deklarime u bënë dje nga ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, gjatë një inspektimi që ka bërë në ambientet e ALEAT, ku nga firma “Sagem” prodhohen letërnjoftimet elektronike. Sipas ministrit, është planifikuar në bashkëpunim edhe me Ministritë e Brendshme në Itali dhe Greqi, që emigrantët shqiptarë të pajisen me kartat e identitetit në vendet ku punojnë. Gjithashtu, ministri Basha ka bërë apel për pajisjen e qytetarëve me kartat e identitetit, duke theksuar se pasaportat e vjetra do të hiqen nga qarkullimi pasi të jetë pajisur një pjesë e mirë e popullatës me pasaportat biometrike dhe pritet që brenda një afati të shkurtër të plotësojmë një nga kushtet për liberalizim të vizave.
Inspektimi
Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka inspektuar dje punën në ambientet e kompanisë ALEAT, e cila po merret me prodhimin e kartave të identitetit dhe pasaportave biometrike. Pas vizitës, ministri Basha është shprehur se procesi i prodhimit të letërnjoftimeve elektronike po ecën me ritme të shpejta dhe shumë shpejt. Shqipëria nga numri i prodhimit dhe shpërndarjes së pasaportave biometrike do të jetë ndër vendet e para në rajon. “Nuk mund të ketë asnjë dyshim, dhe ata që mund të kenë dyshim, të vijnë të shikojnë këtë qendër, për sa u përket kapaciteteve për të ecur përpara me këtë ritëm, dhe duke ecur përpara me këtë ritëm, Shqipëria do të bëjë të mundur që deri në fund të këtij viti të ketë numrin e pasaportave të lëshuara ndër më të mëdhenjtë në rajon dhe ndoshta në 3-mujorin e parë të vitit tjetër mund ta tejkalojë dhe atë të Maqedonisë që mbahet si vendi me numrin më të lartë të pasaportave në rajon”, - deklaroi ministri Basha, ministër i Brendshëm. Gjithashtu, z. Basha ka theksuar se pajisja sa më e shpejtë e çdo qytetari me letërnjoftim elektronik, do të jetë një hap i sigurt drejt procesit të liberalizimit të vizave. Më tej në fjalën e tij, z. Basha ka theksuar se punohet edhe për dixhitalizimin e sistemeve që përdoren në pikat kufitare ajrore dhe tokësore, duke u përafruar me vendet evropiane. "Ministria e Brendshme dhe në veçanti strukturat e specializuara të saj po shikojnë mundësinë e prokurimit të pajisjeve më moderne të identifikimit, analizës së informacionit optik në pikat tona kufitare në aeroport, në pikat tona kufitare tokësore dhe portuale, pajisje të cilat do ta rendisin Shqipërinë me një grusht vendesh shumë të zhvilluara të botës sa i përket dixhitalizimit të regjimit të kufirit dhe ndërlidhjes së sistemit me sistemet e tjera të policisë kriminale dhe gjendjes civile", - vijoi Basha. Ministri Basha tha se shumë shpejt do të jetë gati një projekt, për kalimin e të gjitha të dhënave nga zyrat e gjendjes civile drejt strukturave të Policisë së Shtetit, një mekanizëm ky që do të ofrojë informacion brenda pak sekondash.