E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përplas në dysheme foshnjën 40-ditëshe, pas sherrit me gruan



Një foshnjë vetëm 40-ditëshe është përplasur dhunshëm në tokë nga i ati, duke pësuar dëmtime të rënda në kokë. Ngjarja ndodhi ditën e hënë në fshatin Libonik të Korçës. Policia vuri në pranga autorin e kësaj ngjarjeje, 33-vjeçarin Fredi Sala. Sipas burimeve nga policia, ngjarja ka ardhur pas një konflikti të tij me bashkëshorten, ku ai i ka marrë nga duart fëmijën dhe e ka përplasur në tokë atë. 33-vjeçari u shoqërua në komisariat, për t’u marrë në pyetje nga policia.

Hetimet

Në orën 11:00 të ditës së enjte, nga policia e Korçës është marrë informacioni se në Repartin e Pediatrisë pranë Spitalit Civil të qytetit është shtruar në gjendje relativisht të rëndë shëndetësore foshnja e porsalindur vetëm 40-ditëshe Xh. S.

Sipas mjekëve, foshnja kishte hematoma të rënda në kokë dhe ishte në gjendje të rëndë. Menjëherë u ngrit një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. Hetuesit morën në pyetje nënë e fëmijës vetëm 40-ditëshe. Nga deklarimet e saj rezultoi se shkaktar i plagosjes së foshnjës ishte i ati 33-vjeçar. Familja banonte në fshatin Libonik në rrethin e Korçës. Sipas burimeve nga policia, kur Fredi Sali kishte shkuar në shtëpi, ai kishte nisur të debatonte me bashkëshorten e tij. Pas fjalëve me njëri-tjetrin, ai ka nisur ta qëllojë atë më grushte, duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Më pas, ai i ka rrëmbyer nga duart foshnjën bashkëshortes dhe e ka përplasur atë dhunshëm në tokë. Për pasojë, fëmija ka pësuar dëmtime të rënda në kokë. Menjëherë e ëma, V. Zariqi, i ka dhënë foshnjës ndihmën e parë, duke e dërguar në spitalin e qytetit të Korçës. Fëmija iu nënshtrua ndërhyrjes mjekësore, ku pas mjekimit të marrë, ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Pas zbardhjes së ngjarjes, policia kreu ndalimin e 33-vjeçarit Fredi Sali. Ai u shoqërua në qelitë e paraburgimit, në pritje për të dalë përpara gjykatës. 33-vjeçari akuzohet për kryerjen e veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje”.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›