E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Kemi mbështetjen e BE

Pas kthimit nga Praga, ministri i Jashtëm, Lulzim Basha, deklaroi se aplikimi për vend kandidat i Shqipërisë në BE është një hap pozitiv për vendin dhe vjen pas konsultave me shtetet e BE-së. Por opozita i kujtoi dje qeverisë nëpërmjet deputetes Arta Dade se hedhja e këtij hapi nuk është meritë e kësaj qeverie, por e punës tetëvjeçare të Partisë Socialiste. Ministri i Jashtëm, Basha, deklaroi në një konferencë për shtyp se aplikimi i Shqipërisë për statusin kandidat në Bashkimin Evropian, është mbështetur nga vendet e tjera anëtare. Ai deklaroi se qeveria nuk është nxituar për hedhjen e këtij hapi, por ka pritur kohën e duhur për të bërë aplikimin. Sipas tij, kërkesa për statusin u bazua në reformat e thella që bëri Shqipëria. "Hedhja e këtij hapi, u shpreh Basha, ka ardhur pas votëbesimit të këtyre reformave dhe arritjeve të Shqipërisë nga të 27 parlamentet e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, nëpërmjet ratifikimit të MSA-së në një kohë rekord". Ministri i Jashtëm nuk la jashtë vëmendjes komentet e fundit të bëra nga opozita. Duke u dhënë një përgjigje, ai u shpreh se "Rama dhe zëdhënësit e tij duhet, së paku, të heshtin sot, sepse në mënyrë të përsëritur, gjatë dy muajve të fundit, kanë kërkuar që Shqipëria të mos aplikojë për statusin e vendit kandidat në Bashkimin Evropian. Me interpretimin elektoral që i bën Rama datës së aplikimit, dëshmon se nuk e njeh ABC-në e integrimit evropian". Partia Socialiste deklaroi dje se qeveria shqiptare duhet të angazhohet për standardet e zgjedhjeve, në vend që të përdorë aplikimin e vendit kandidat në BE për qëllime elektorale. Sekretarja për marrëdhëniet me jashtë në Partinë Socialiste, Arta Dade, u shpreh se është e qartë për opinionin vendas dhe të huaj që personalisht Sali Berisha ka qenë dhe mbetet shkaktari kryesor i vonesave në rrugën e integrimit evropian që prej zgjedhjeve të ‘96. "Përfaqësuesit e BE-së, edhe një herë dje, përsëritën kushtet që Shqipëria të avancojë në axhendën e saj evropiane: zgjedhje të lira, të ndershme dhe demokratike, thellim të reformave politike dhe ekonomike, mjedis të favorshëm për biznesin", insistoi deputetja socialiste. Dade vuri në dukje se Sali Berisha as nuk i ka përmbushur dhe as nuk do të ketë shansin t‘i vonojë reformat e tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›