Shoqata "Çamëria": Qëndrimi i Berishës, i pakuptimtë
Shoqata "Çamëria" reagoi dje pas deklaratave të Kryeministrit Sali Berisha, gjatë vizitës së homologut grek, Kostas Karamanlis, se mes dy vendeve nuk ka çështje të pazgjidhura. Në vlerësimin e shoqatës, kjo deklaratë është e habitshme. "Të gjithë e dinë se ekziston çështja çame dhe ajo ka mbetur pa asnjë zgjidhje konkrete", thuhet në deklaratën e shoqatës. Kryetari i saj, Ardian Tana, theksoi se Kryeministri Berisha dhe gjithë drejtuesit e shtetit vazhdimisht kanë deklaruar se çështjes çame i duhet dhënë një zgjidhje e domosdoshme. Duke insistuar se qëndrimi i fundit i kreut të qeverisë shqiptare ishte i pakuptueshëm, ata kërkojnë nga Kryeministri Berisha që të qartësojë qëndrimin e tij. "Ne besonim se gjatë këtij takimi, dy kryeministrat do të gjenin kurajën dhe vullnetin e duhur politik të bëheshin nismëtarë të diçkaje shumë historike, të fillimit të procesit të dialogut ndërqeveritar për zgjidhjen e çështjes çame", u shpreh kryetari Tana. Ndaj, vijoi ai, edhe tubimi i organizuar në sheshin "Skëndërbej" kishte si qëllim pikërisht nxitjen e këtij procesi. "Ne, u shpreh kryetari Tana, mendojmë se qeveria shqiptare e ka detyrim kushtetues ta trajtojë çështjen çame e të kërkojë nga qeveria greke të ngrihet mbi hijet e errëta të së shkuarës dhe të mos e trajtojë më këtë çështje si tabu". Shoqata "Çamëria" dhe PDI-ja shprehën bindjen se zgjidhja e çështjes do t‘i shërbente forcimit të marrëdhënieve të miqësisë së mirë mes dy vendeve, paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin e Evropës Juglindore. "Çdo përpjekje për të zgjatur status quo-në, duke i mohuar komunitetit çam të drejtat e tij më themelore të njeriut nuk do t‘i shërbente këtyre qëllimeve", konstatuan ata. Po dje, Lëvizja G99 kritikoi ashpër qëndrimin e qeverisë shqiptare dhe sidomos të Kryeministrit Berisha. Sipas Erion Veliajt, takimi, i cili mund të kishte qenë një mundësi e mirë për të diskutuar shumë prej problemeve dhe çështjeve që i përkasin të dyja palëve, kaloi në një heshtje inferiore nga pala shqiptare ndaj asaj greke. Në takimin Berisha-Karamanlis nuk u përmendën çështje që, sipas Veliajt, janë thelbësore për interesat e të gjithë shqiptarëve, si vota e emigrantëve, lehtësitë për studentët shqiptarë, liberalizimi i vizave dhe çështja çame.