Ish-pronarët, aleancë me "Polin e Lirisë"
Shoqatat e ish-pronarëve braktisën dje përfundimisht PD-në dhe PR-në, duke iu bashkuar publikisht koalicionit më të ri politik, "Poli i Lirisë". Ky formacion përbëhet nga LZHK-ja, PDK-ja dhe parti të tjera të së djathtës. Hedhja e këtij hapi, sipas ish-pronarëve, bëhet sepse pas 18 vitesh ndjehen të zhgënjyer nga partitë politike, të cilat gjoja kanë përfaqësuar interesat e tyre në Kuvend. Këto deklarata kanë pasur kryesisht në qendër të sulmeve Partinë Republikane dhe kryetarin e saj. Pas këtij veprimi, reagimi i PR-së ishte i menjëhershëm, e cila deklaroi se pretendimet janë të pabaza dhe personat që i artikuluan janë individë të veçantë. Sipas ish-pronarëve, tashmë ka ardhur koha që ata të kenë njeriun e tyre në Parlament dhe mundësia më e mirë për t‘u përfaqësuar vjen përmes koalicionit më të ri "Poli i Lirisë". Ky formacion i ka ofruar ish-pronarëve hapësirën e kërkuar, vendet e para dhe të dyta në qytetet kryesore. Sipas drejtuesve të LZHK-së dhe të PDK-së, që përbëjnë koalicionin e ri, përfaqësuesit e ish-pronarëve do të jenë të dytët në listën e kryeqytetit, në Fier, Shkodër dhe Korçë, ndërsa të parët në listën e Durrësit dhe Vlorës. Në fjalën e tij, Dashamir Shehi u shpreh se "vendosëm përfshirjen e kësaj shoqate në listat e deputetëve të LZHK-së në votimet e përgjithshme, sepse çështja e pronave në 18 vitet e fundit është përdorur si demagogji nga partitë kryesore". Sipas tij, janë regjistruar abuzime të mëdha, ndërsa pronarët janë lënë gjithnjë në harresë. Shehi tha se kthimi dhe kompensimi i pronave është një prej prioriteteve të "Polit të Lirisë". Demagogji e cilësoi premtimin për zgjidhjen e çështjes së pronës nga politika shqiptare edhe kryetari i PDK-së Nard Ndoka. "Kësaj çështjeje i duhet dhënë patjetër një zgjidhje konkrete, pasi është një kërkesë primare si nga BE-ja ashtu edhe nga shtetasit e huaj, të cilët duan të investojnë në vendin tonë. Sakaq, ish-pronarët, të përfaqësuar nga sekretari i shoqatës "Pronësi me Drejtësi", Agim Toro, u shprehën se ky organizëm nuk do të jetë kurrsesi parti politike, por është i domosdoshëm përfaqësimi në Kuvend i shtresës së pronarëve. "Ne duhet të jemi në Parlament, sepse përfaqësuesit që kanë marrë përsipër të çonin zërin tonë në Parlament deri më sot, nuk e kanë bërë. Ne jemi të bindur tashmë se zgjidhjen nuk e japin partitë kryesore politike, sepse në gjithë këto vite me pronat tona blenë votat e tyre", akuzoi Toro, duke konfirmuar publikisht se ai do të jetë i pari në listë për këtë koalicion në Qarkun e Durrësit. Pak minuta pas deklaratës së Shoqatës së Pronarëve kundër PR-së, erdhi edhe reagimi i republikanëve nëpërmjet deputetit Arian Madhi. Në një konferencë për shtyp, ai u shpreh se PR-ja vazhdon të japë kontributin e saj për të zgjidhur çështjen e pronës në Shqipëri. Madhi tha se disa pjesëtarë të shoqatës "Pronësi me Drejtësi" i janë bashkuar koalicionit të ri "Poli i Lirisë" vetëm për qëllime të përfitimit personal. Në deklaratën e tij, Madhi theksoi se, "nëse zëra të veçuar këmbëngulin që PR-ja duhet të kishte zgjedhur rrugën e bojkotit parlamentar apo të rrëzimit të qeverisë, ne i sigurojmë ata se republikanët nuk do të sillen asnjëherë si faktor krize për qeverisjen e djathtë". Sepse shumica e votuesve të djathtë, vijoi ai, besojnë se zgjidhja e çështjeve madhore dhe integrimi i Shqipërisë vjen vetëm përmes dialogut, kompromisit dhe jo krizave politike.