Ministria: Nuk kemi ndryshuar kufijtë me Greqinë
Ministria e Jashtme dhe Ministria e Mbrojtjes kanë kundërshtuar mediat, duke i cilësuar si të pavërteta lajmet për dhënien e ujërave shqiptare shtetit fqinj, Greqisë. Sipas këtyre ministrive, nuk ka asnjë pakt mes Shqipërisë dhe Greqisë për ndarjen e kufijve. Sipas dy ministrive, "marrëveshja ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë për delimitimin e zonave të tyre përkatëse të shelfit kontinental dhe zonave të tjera detare që u përkasin në bazë të së drejtës ndërkombëtare, është bërë duke u bazuar tërësisht në metodat bashkëkohore të përcaktimit të kufirit detar, si dhe mbi parimet që respektojnë legjislacionin shqiptar në fuqi dhe plotësisht në konformitet me Konventën e OKB-së për të Drejtën e Detit". Duke i konsideruar trillime trajtimin e kësaj çështjeje nga disa media, përfaqësuesit e këtyre dy ministrive theksuan se mënyra e përcaktimit të kufijve detarë dhe shelfit kontinental gjendet në Konventën për të Drejtën e Detit.