E Shtunë, 31 Tetor 2026

Basha: Krimi në vend, jemi më të sigurtët në rajon



Shqipëria i ka dhënë një goditje të fortë krimit, duke u shndërruar në vendin më të sigurt në rajon dhe me tregues kriminaliteti nën mesataren e vendeve të Bashkimit Evropian. Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, ka treguar arritjet e vendit në takimin ministerial, i cili zhvillohet në kuadër të Asamblesë së Përgjithshme të 78-të të Interpolit, në Singapor. Në fjalën e mbajtur në këtë Ministerial, ministri Basha, theksoi rolin e rëndësishëm të bashkëpunimit dhe koordinimit midis Shqipërisë, partnerëve euroatlantikë dhe Interpolit. “Duke zbatuar një politikë me zero tolerancë ndaj krimit, Shqipëria arriti që në një kohë fare të shkurtër të shkatërrojë mbi 220 organizata dhe qeliza të krimit të organizuar në Shqipëri dhe të çojë mbi 1000 persona para drejtësisë”, - tha Basha, duke shtuar se “si rezultat i këtij vullneti politik dhe rritjes së kapaciteteve zbuluese, goditëse dhe parandaluese, si dhe falë bashkëpunimit të shkëlqyer me vendet fqinje, me vendet anëtare të BE-së dhe NATO-s, me Europol-in dhe Interpolin, Shqipëria është shndërruar në një nga vendet me tregues të kriminalitetit nën mesataren e BE-së, duke garantuar rendin dhe sigurinë, si dhe duke u kthyer në vendin më të sigurt në rajon”. Sipas ministrit të Brendshëm, bashkëpunimi me Interpolin e rendit Shqipërinë në krye të listës, për sa u përket kërkesave për arrestime dhe ekstradime nga territori i vendeve anëtare. Vetëm gjatë 3 viteve të fundit janë arrestuar dhe ekstraduar rreth 500 persona të kërkuar nga Interpol Tirana. Në këtë kuadër, ministri Basha rikonfirmoi vullnetin e palës shqiptare për të proceduar me rigorozitet për sa u përket kërkesave për arrestimin dhe ekstradimin e çdo individi që ka kryer vepra penale. Ministri i Brendshëm foli edhe për hapat që ka ndërmarrë Shqipëria lidhur me sigurinë e kufijve dhe sistemeve për mbledhjen dhe transmetimin e të dhënave kriminale. Në këtë kuadër, ai informoi të pranishmit rreth sistemit modern MEMEX, për shkëmbimin e të dhënave kriminale dhe sistemit TIMS për të dhënat në kufi, që ndërlidhen në kohë reale me Qendrën Operacionale të Interpolit, duke mundësuar kështu shkëmbimin dhe kontrollin e menjëhershëm të informacionit mbi personat në kërkim, por dhe mbi automjetet dhe mallrat e tjera. “Shqipëria do të dërgojë së shpejti oficerin ndërlidhës të saj në qendrën e Interpolit në Lyon, Francë, duke rritur kështu bashkëpunimin me këtë organizatë në nivelin më të lartë të mundshëm”, - u shpreh numri një i Ministrisë së Brendshme. Gjithashtu lidhur me bashkëpunimin rajonal, Basha informoi të pranishmit se Shqipëria do të jetë vendi organizator i Konferencës Rajonale të Interpolit, që do të zhvillohet në vitin 2011. Ministri Basha vlerësoi më tej krijimin dhe konsolidimin e forcës policore më të re të botës, siç e quajti ai Shërbimin Policor të Kosovës, duke e konsideruar atë si një histori suksesi të OKB-së, si dhe kërkoi që marrëdhëniet e Interpolit me Kosovën të reflektojnë realitetin e Kosovës së pavarur nëpërmjet anëtarësimit të saj në këtë organizatë. Një vend të veçantë gjatë takimeve me homologët dhe zyrtarët e lartë evropianë, ministri Basha i kushtoi vëmendje edhe procesit të liberalizimit të vizave, duke i informuar ata mbi stadin aktual të plotësimit të kritereve nga Shqipëria. Në këto takime, ministri Basha ka marrë mbështetjen e plotë të tyre për avancimin e mëtejshëm të këtij procesi deri në plotësimin e objektivit të tij, liberalizimin e vizave për qytetarët shqiptarë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›